Familja që ndan shtëpinë me tigrat

25/09/2013 18:50

Një kryefamiljar në Brazil lejon që përkrah gruas dhe fëmijëve të tij të jetojnë edhe shtatë vizitorë të tjerë…

Ajo që e bën të veçantë këtë familje është fakti se nuk bëhet fjalë për shtatë vizitorë të zakonshëm, por tigrat që ndajnë shtëpinë, ushqimin dhe pishinën e përbashkët me familjen Borges.

Një banor i Maringës, pranë Sao Paulos, Ary Borges këmbëngul se të jetosh me grabitqarët nën një çati nuk është aspak e rrezikshme, siç mund të duket për ata që njohin tigrat vetëm nga jashtë.

Madje, aq i sigurt është ai për lidhjen e ngushtë që ka me tigrat, sa që lë mbesën e tij 2-vjeçare që të luajë pa kujdestar me tigrat në oborrin e shtëpisë.

Borges shpëtoi dy tigra nga një cirk tetë vjet më parë dhe që prej atëherë, nisi të kujdesej në mënyrë të vazhdueshme për mirëqënien dhe ushqimin e tigrave, të cilët i strehoi në banesën e tij.

“Nëse i tregon kafshëve respekt dhe dashuri, ato ta paguajnë në të njëjtën mënyrë”, thotë Ary.

Top Channel