
Numërimi mbrapsht ka nisur. Kemi 10 vite kohë për të shpëtuar planetin tonë dhe shtatë vitet e para do t’i kalojmë pa bërë asgjë; vetëm në 2020 pritet të hyjë në fuqi një marrëveshje globale për reduktimin e emëtim serrë në atmosferë.
Të premten e ardhshme Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimaterike, i ngritur pranë OKB-së dhe i përbërë nga qindra specialistë të fushave të ndryshme do të publikojnë rezultatet e një studimi 6-vjeçar për ndryshimet klimaterike.
Një koncentrat i raportit prej 2200 faqesh është publikuar fillimisht në mediat amerikane dhe më pas është shpërndarë edhe në mediat e tjera globale.
Studiuesit kanë parashikuar katër skenarët e mundshëm për gjendjen e tokës në fund të këtij shekulli dhe secili skenar varet nga politikat që do të ndjekin ndotësit e mëdhenj brenda këtij 10-vjeçari.
Skenari më i keq është ngritja e nivelit të detit me 62 centimetra dhe rritja e temperaturës mesatare globale me 3.7 gradë celcius krahasuar me periudhën 1986-2005, ndërsa skenari më i mirë është rritja e nivelit të detit me 24 centimetra dhe ajo e temperaturave mesatare me 1.7 gradë celcius krahasuar me periudhën 1986-2005.
Mes skenarit më të mirë dhe skenarit më të keq, grupet e shkencëtarëve të këtij Paneli kanë radhitur edhe dy skenarë të tjerë në mes që gjithsesi parashikojnë tejkalimin e asaj që studiuesit e quajnë tejkalim të “vijës së kuqe” mbi sasinë e emëtuar të dioksidit të karbonit.
Në fund raporti bën thirrje për gjetjen alternativave miqësore me mjedisin për sigurimin e energjisë si dhe nëse është e mundur, ndryshimi i stilit të jetesës sidomos në vendet përgjegjëse për ndotjen më të madhe, ku futet Kina, India, SHBA dhe Brazili.
Top Channel