Është zgjidhur pas 300 vjetësh misteri mbi rotacionin e shtresës së
Tokës, që rrotullohet në drejtim të kundërt me atë të bërthamës.
Përgjigjia qëndron në kampin magnetik, që shtyn bërthamën drejt lindjes,
duke e rrotulluar shumë shpejt.

Zbulimi është bërë nga universiteti britanik i Leeds-it dhe është publikuar në revistën e Akademisë së Shkencave të Shteteve të Bashkuara, PNAS.

Njësoj sikur të ishte një matrioshkë, Toka ka një bërthamë të brendshme të përbërë nga hekur solid, që rrotullohet drejt lindjes dhe më shpejt krahasuar me shtresën tokësore, që rrotullohet më ngadalë drejt perëndimit dhe përbëhet nga hekur i shkrirë.

Prej pothuajse tre shekujsh shkencëtarët nuk kishin arritur t’i jepnin përgjigje kësaj dinamike të çuditshme.

“Lidhja shpjegohet fare thjeshtë bazuar në termat e veprimit të njëjtë dhe të kundërt. Fusha magnetike shtyn drejt lindjes bërthamën e brendshme, që ka pothuajse përmasat e hënës, duke bërë që të rrotullohet më shpejtë. Por ndërkohë shtyn edhe në drejtimin e kundërt shtresën e jashtme të lëngshme, që lëviz drejt perëndimit”, ka shpjeguar studiuesi Philip Livermore.

Duke përdorur një superkompjuter studiuesit kanë simuluar lëvizjet e brendshme të Tokës me një saktësi rreth 100 herë më të lartë krahasuar me atë të modeleve të tjera.

Toka është “seli” e një fushe magnetike, origjina e të cilës, e sidomos mirëmbajtja, i detyrohet dinamikës së hekurit të butë në bërthamën e jashtme të planetit.

Top Channel