Lidhja e veçantë mësuese-nxënës

16/09/2013 17:50

Mësuese Jolanda është një nga arsimtaret më të vjetra e me më shumë eksperiencë. Tregon se fëmijët e vegjël janë pika e saj e dobët, por me njërin prej nxënësve ka krijuar një lidhje të veçantë.

E ka ndjekur Iglin në çdo hap gjatë këtyre katër viteve, e ka nxitur dhe i është përkushtuar që ai të ecë përpara në jetë.

“Puna e tij më bëri të shtoj forcat dhe të merrem sa më shumë me këtë djalë të talentuar dhe kërkues. Ai sillte materiale nga më të ndryshmet dhe kishte momente që une i thoja, Igli, mjaft se na lodhe….”, deklaroi Jolanda.

Është modeste dhe thotë se puna e saj nuk është asgjë në krahasim me vullnetin e vogëlushit. ““Ka momente qe Igli më ngacmon edhe në telefon e më thotë, mesuese a mund të bej diçka tjetër”.

Babai i djaloshit thotë se mësuesja nuk e ka pasur dhe aq të lehtë me të birin. Në rast se i jep pak liri, si çdo fëmijë menjëherë ai gjen diçka tjetër për të kaluar kohën.

Sot ka filluar viti i ri shkollor. Igli është në klasën e pestë dhe ka takuar personin më të dashur për të në shkollën “11 Janari”.

“Gjatë kohës që kam qenë pushim më ka marrë shumë malli. Mësueses ia kthej respektin dhe dashurirë me anë të punës që bëj në klase”, thotë vogëlushi.

Asnjëherë nuk mungon puna jashtë orarit zyrtar dhe përgatitjet shtesë për një fëmijë shumë kërkues nga vetja dhe nga mësuesja.

Jolanda na tregon se herë herë ai shndërrohet edhe në asistentin e saj. “Permendet emri i tij orë e minute se më vë përpara e më përgjigjet. Ndodh që Igli, edhe mua më nxjerr ndonjë herë nga situata”, shtoi mësuesja.

Për ta vënë sadopak në mendime ndonjëherë i bën edhe disa rrengje të vogla. “Në Olimpiadën e matematikës më pyeste si kishte dalë. Reagova jo mirë për ta lënë në mendime, të mendonte se ku mund të kishte gabuar. Në fund më dha një përqafim”, tregon mësuesja.

Pasi ka mbaruar mësimi dhe Igli ka marrë përgjigje për cdo pyetje të mundshme, para se të dalë turravrapi nga shkolla nuk harron asnjëherë t’i dhurojë përqafimin mësueses që nuk do ta harrojë gjithë jetën.

“Është krijuar lidhje mes nesh, puna ka qenë e bukur dhe e vecantë”, thotë vogëlushi.

Top Channel