Argjentinë, arrestohet hackeri 19-vjeçar

14/09/2013 02:20

Policia në Argjentinë ka arrestuar një 19-vjeçar, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal “hacker”-ash, të cilët shënjestronin transferime ndërkombëtare parash dhe faqet e internetit të lojrave të fatit.

I njohur me pseudonimin “superhacker”, adoleshenti siguronte të ardhura prej 50 mijë dollarësh në muaj, duke punuar nga dhoma e tij e gjumit në Buenos Aires, bëri të ditur policia.

Operacioni për arrestimin e tij përfshinte edhe ndërprerjen e energjisë në të gjithë zonën e tij të banimit, në mënyrë që të shmangej mundësia e fshirjes së ndonjë të dhëne sensitive. Policia tha se iu desh pothuajse 1 vit për të mbërritur në gjurmët e adoleshentit.

Ai jetonte me të atin, një ekspert kompjuterash, në Buenos Aires. “Mendojmë se ai dhe vëllai i tij kishin krijuar një biznes kaq luksoz, teksa prindërit e tyre nuk i kishin pyetur kurrë se çfarë po ndodhte”, tha një hetues për të përditshmen argjentinase, “Clarin”.

Në dhomën e adoleshentit zyrtarët gjetën kompjutera me kapacitete të fuqishme.

“Hacker”-at akuzohen se kanë përdorur sulme keqbërëse për të krijuar një rrjet prej mijëra kompjuterash fantazmë, të cilët përdoreshin më pas për të devijuar më pas paratë nga llogaritë e huaja, duke mos lënë asnjë gjurmë virtualisht.

Operacioni i policisë përfshiu 5 bastisje në kryeqytet dhe në qytetin e Rosarios, rreth 300 km në veri të tij. I riu akuzohet për 3 krime dhe, nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me më shumë se 10 vjet në burg.

Top Channel