0$ bileta, gabimi i kompanisë ajrore

14/09/2013 17:10

Një kompani ajrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbajë në fuqi biletat “e shitura” prej saj me 0 dollarë, për shkak të një gabimi kompiuterik.

”United Airlines”, një prej kompanive më të mëdha ajrore në SHBA, nuk është e sigurt se sa bileta “janë falur”, por drejtori i përgjithshëm i saj informoi të shtunën se “do të nderojë premtimin” e bërë ndaj klientëve.

Si rrjedhojë e gabimit kompiuterik, një sërë biletash ofroheshin pa pagesë në faqen e internetit të kompanisë dhe pas një përmbytje nga blerës, disa orë më pas “United” u detyrua që të mbyllte faqen dhe të ndalonte marrjen e prenotimeve telefonike përkohësisht.

Ndonëse një numër i panjohur biletash, me shumë gjasa disa mijëra u falën, pasagjerët duhet të paguajnë ende 5-10 dollarë për shkak të taksave të aeroporteve.

Bob Stokas, një banor i Çigakos, tregoi për “NBC” surprizën e tij kur gjeti një biletë me vetëm dhjetë dollarë për t’u kthyer në shtëpi prej Hauait, kur një biletë e zakonshme kushton rreth 800 dollarë vetëm vajtje.

”Mbeta i shokuar dhe i surprizuar njëkohësisht. Në fillim nuk e besova, por sekondën tjetër isha duke paguar me kartën time të kreditit, pasi e dija që oferta nuk do të zgjaste shumë”, tha Stokas.

Top Channel