Qeveria “zhvesh” Gardën nga pronat

09/09/2013 00:00

Qeveria shqiptare në mbledhjen e saj të fundit ka vazhduar të lëvizë pronat shtetërore. Edhe pse në ditët e fundit të saj si qeveri, javën e shkuar, me propozim të ministrit të Brendshëm ajo çliroi një tjetër pronë.

Së fundmi ajo ka çliruar rreth 8 mijë metra katrorë sipërfaqe totale të ndodhura në afërsi të liqenit artificial të Tiranës. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se hiqet nga lista e inventarit të Gardës së Republikës prona me emërtimin “Garda e Republikës garnizon”.

Sipërfaqja, e cila përbëhet nga shumë fusha basketbolli dhe futbolli, si edhe ato të stërvitjes së vetë nënoficerëve të gardës, tashmë do të kthehet në pronë private.

Pas vendimit të qeverisë, që e urdhëronte vetë Ministrinë e Brendshme të çlironte pronën nga organika e Gardës së Republikës, ministri i Brendshëm Flamur Noka ngriti grupin e punës për identifkimin e sipërfaqes në terren, si edhe dorëzimin fizik të sipërfaqeve pronarëve të ligjshëm, duke u bazuar edhe VKM-së përkatëse.

Në fakt, në listën e objekteve shtetërore në pronësi të privatëve ka edhe një numer të madh pronash të tjera që presin për t’u çliruar. Pavarësisht kësaj, qeveria prej vitesh nuk ktheu të tilla prona, përveç se në ditët e fundit.

Dhe kjo, me dy standarte, standartin e kthimit të pronës tek pronari i ligjshëm dhe atë të ndryshimit të destinacionit, siç ndodhi tek Shtëpia Qendrore e Ushtrisë.

Dyshimi kryesor pas këtij vendimi mbetet ai i ndërtimit mbi këtë truall të objekteve private të banimit, duke ditur se çmimi i ndërtimit mbi këtë truall është një ndër më të shtrenjtët në kryeqytet.

Top Channel