Borussia Dortmund ka zbritur Bayern Munich nga kreu i Bundesligës të dielën, teksa blerja e re e këtij sezoni, Henrikh Mkhitaryan, shënoi dy gola në fitoren 2-1 të tyre ndaj Eintracht Frankfurt.
Mesfushori me tipare sulmuese 24-vjeçar tregoi në këtë ndeshje se pse Dortmund pagoi plot 27,5 milionë euro në arkat e Shakhtar Donetsk për të, duke shënuar 2 gola në 3 ndeshje të luajtura deri më tani.
Rezultati i kësaj sfide bën që Dortmund të nisë pushimet, për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në kualifikueset për Botërorin 2014, me 2 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Gjermanisë, bavarezët e Guardiolës.
Vetëm 10 minuta i mjaftuan talentit nga Armenia, Mkhitaryan, që të shndërronte në gol pasimin e marrë nga anësori polak Jakub Blaszczykowski. Frankfurt barazoi me Kadlec në të 36-tën, i ardhur nga Sparta e Pragës, duke shënuar golin e parë në Bundesligë.
Por, Mkhitaryan riktheu avantazhin për Dortmundin, pas një aksioni individual, duke mposhtur sërish portierin Kevin Trapp.
Bayern, që barazoi 1-1 me Freiburg të martën, Mainz dhe Leverkusen, ndjekësit më të afërt të Dortmundit, që kishin edhe pikë të plota para kësaj jave, humbën të gjithë pikë.
Ndërkohë, Stuttgart ka shkatërruar 6-2 Hoffenheim-in, ku bie në sy tripleta e Vedad Ibisevic për ekipin vendas, pasi shkarkuan të hënën e kaluar trajnerin Bruno Labbadia, si pasojë e 3 humbjeve radhazi në këtë fillim sezoni.
Top Channel