Skandalet “romantike” të Google

30/08/2013 00:00

Zhurmat që mbërrijnë nga zyrat qendrore të “Google” në Silicon Valley në Kaliforni, ngjasojnë më shumë me skenare telenovelash.

Mediat gossip në Shtetet e Bashkuara “zyrtarizuan” ndarjen e Sergey Brin dhe Anne Wojcicki dhe “zbuluan” romancën e re të bashkë-themeluesit të Google, njëkohësisht njëri prej njerëzve më të pasur në botë.

Sipas këtyre mediave pas ndarjes qëndron lidhja që 40-vjeçari Brin ka mbajtur të fshehtë prej muajsh me britaniken e punësuar si menaxhere e “Google Glass”, Amanda Rosenberg.

     Bashkëthemeluesi i Google, Sergei Brin dhe ish-bashkëshortja e tij, Anna Wojcicki

Emri i 27-vjeçares është përmendur edhe nga mediat britanike që thonë se ajo pasi ka përfunduar studimet në një universitet në Leeds, është punësuar nga Google, fillimisht në Londër dhe prej pak muajsh në selinë qendrore të kompanisë në Shtetet e Bashkuara.

Pikërisht lidhja e Rosenberg me Brin duket se ka qenë shkaku i largimit të Hugo Barra-s nga posti i drejtorit ekzekutiv të sistemeve Android në Google. Flitet se ka qenë pikërisht “romanca” e përfunduar keq me Amanda Rosenberg që ka shtyrë Hugo Barra-n të largohet drejt Kinës.

Ai mendohet se qëndron pas suksesit të sistemeve Android, me të cilin do të vazhdojë të punojë, por tashmë në Kinë, i punësuar nga një kompani gjigante kineze në tregun e telefonave inteligjentë dhe kompjuterave.

Top Channel