Korea e Veriut është dyshuar prej kohësh se për të përballuar sanksionet dhe bllokadat e rënda ndërkombëtare që i kanë vendosur favorizon rritjen dhe trafikimin e substancave narkotike.

Megjithatë, një raport i publikuar në një të përditshme koreanojugore këtë të premte, tregoi të dhëna alarmante, mbi përhapjen që ka gjetur përdorimi i drogës midis 24 milionë banorëve të shtetit më të izoluar të botës.

Ndikuar nga kontrolli më i fortë kufitar i Kinës, trafikantët kanë nisur t’i drejtohen gjithmonë e më shumë tregut vendas dhe sipas raportit, 2/3 e popullsisë janë përdorues të rregullt apo të rastësishëm të metamfetaminës, një prej drogave më të fuqishme në qarkullim.

“Disa informatorë bëjnë me dije se pothuajse çdo i rritur në zonën pranë kufirit koreano-kinez është përdorues i metamefatimës”, deklaroi hartuesi i këtij raporti.

Kjo drogë e fuqishme, në Korenë e Veriut ka gjetur përdorim të gjerë edhe sepse përballë mungesës së medikamenteve, është shndërruar në qetësuesin e vetëm me përdorim të gjerë në treg.

“Aktualisht, sistemi shëndetësor prej më shumë se një dekade ka pushuar së ekzistuari në pjesën më të madhe të Koresë së Veriut, kështu që banorët kanë nevojë për diçka për të kuruar dhimbjet e tyre fizike. Fatkeqësisht, pasi bien nën varësinë e metamfetaminës, për ta nuk ka më asnjë shpëtim”, shtoi autori i studimit.

Top Channel