Kryebashkiaku i Torontos: Kam tymosur hashash

29/08/2013 00:00

Kryebashkiaku i Torontos, Rob Ford, ka thënë se dikur ka pirë shumë hashash duke u bërë kështu politikani i katërt kanadez brenda javës që pranon një gjë të tillë.

Aktualisht, në Kanada është hapur debati për legalizimin apo jo të marijuanës. Në qershor, lideri i Partisë Liberale, Justin Trudeau, bëri thirrje për legalizimin e saj. Së bashku me liderin e Partisë Demokratike, Thomas Mulcair, ai ka pranuar se ka përdorur marijuanë.

Kur gazetarët pyetën Fordin nëse ashtu si kolegët e tij kishte përdorur ndonjëherë hashash, ai u përgjigj: “Patjetër, kam pirë shumë madje.”

Në muajin mars dolën zëra se kryebashkiaku i Torontos ishte përdorues i kokainës dhe se një video e tregonte atë duke konsumuar këtë substancë. Por, video nuk është publike dhe nuk është verifikuar vërtetësia e saj.

Vetë Rob Ford ka thënë se nuk përdor kokainë dhe se nuk është i varur nga asnjë lëndë narkotike.

Top Channel