Alarmi për shkrirjen e Antarktidës

29/08/2013 00:00

Shtresa më e trashë e akullit në botë mund të jetë shumë më e rrezikuar se sa mendohej deri tani nga ndryshimet klimaterike.

Shkencëtarët kanë zbuluar një tkurrje të ndjeshme të akullnajave në pjesën lindore të Antarktidës e cila ka të bëjë me luhatjet e temperaturave. Meqënëse kjo shtresë përmban mjaftueshëm ujë sa për ta rritur nivelin e deteve nëpër botë me mbi 50 metra, ekspertët thonë se nevoja për të studiuar arsyet e reduktimit të akullit atje, është urgjente.

Studimi është publikuar në revistën “Nature”. Perspektiva e shkrirjes së akujve në Groenlandë dhe në Antarktidën Perëndimore, i ka shqetësuar prej kohësh shkencëtarët. Por tani problemet duket se po thellohen edhe në lindjen e “Kontinentit të Akullt”.

Përgjate 20 viteve të fundit, humbja vjetore në Groenlande është llogaritur në 140 miliardë tonë. Studiuesit në Universitetin e Durhamit kanë përdorur pamje satelitore të periudhës së viteve 1963-2012 për të diktuar ndryshimet.

Jo të gjithë ekspertë pajtohen megjithatë me arsyetimin e tyre, e thonë se temperaturat në lindje të Antarktidës shkojnë deri në minus 30 gradë celcius, çka nënkupton se ndikimi i ndryshimeve klimaterike atje nuk është dhe aq i madh.

Top Channel