Japoni, anija e tsunamit do shitet për skrap

13/08/2013 00:00

Një qytet japonez ka vendosur të shesë për skrap një anije peshkimi të
dëmtuar, që ishte bërë simboli i tsunamit shkatërrues të vitit 2011.

Banorët në Kesenuma, në prefekturën e Mijagit, votuan për të zhvokshur anijen, e cila nga deti përfundoi në tokë nga forca shtytëse e valës së shkaktuar nga lëkundja sizmike.

Fillimisht ishte planifikuar që anija të ruhej si monument, por tani duket se banorët e qytezës kanë ndërruar mendje për të siguruar një lloj “dëmshpërblimi” nga tragjedia.

Tërmeti dhe tsunami i 11 marsit 2011 la mbi 18 mijë persona të vdekur e të humbur në Japoni.

Fuqia prej 9 ballë, më e fuqishmja e konstatuar në Japoni që kur nisën dhe regjistrimet, shkaktoi gjithashtu një aksident bërthamor në impiantin e Fukushimës.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 400 kilometra në veri-lindje të Tokios dhe tsunami që shkaktoi goditi bregun veri-lindor të ishullit kryesor Honshu, duke marrë me vete anije, makina dhe duke shembur shtëpitë.

Kesenuma, me një popullësi prej 70 mijë banorësh, ishte një prej qytezave më të goditura nga tsunami vdekjeprurës.

Pas katastrofës, banorët filluan të vizitonin anijet 60 metra të gjata për t’u lutur, për të bërë fotografi dhe për të vendosur lule në kujtim të të afërmve të humbur.

Top Channel