Për herë të parë është mbledhur Ekipi Negociator i Kosovës që do të negociojë me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ky proces do të filloi në vjeshtën e këtij viti dhe pritet të përmbyllet pranverën e vitit 2014.
 
Gjatë këtij takimi Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar punë dhe përgjegjësi nga të gjithë Ministrat, Sekretarët dhe udhëheqësit e institucioneve tjera. Thaçi ka thënë me tej se Kosova ka dy priorite sa i përket integrimit në Bashkimin Europian. I pari ka të bëjë me negocimin e MSA-së; dhe i dyti me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.
 
“Kërkoj nga secili nga ju që aktivitetet dhe obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe negociimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimi të trajtohen me prioritet më të lartë të mundshëm. Kjo nuk ka të bëjë me axhendat politike të asnjë partie politike. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet unike sa i përket të ardhmes evropiane, edhe sa i përket spektrit politik, vullnetit qytetar, por edhe i një uniteti të plotë gjithëqytetar, pa dallim etnie, tha Thaçi.
 
Sipas zyrtarëve qeveritarë, marrëveshja me MSA-në do të ketë karakterin e marrëveshjes ndërkombëtare, dhe duke u mbështetur në përvojen e shteteve të rajonit një marrëveshje e tillë mund të ketë volum nga 500 deri në 800 faqe.
 
Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku, e cila njëherësh do të jetë kryenegociatore e këtij procesi, ka treguar se si do të zhvillohen negociatat.  
 
“Sa i përket negociatorve dhe grupeve punuese, deri me tani jemi dakorduar me Komisionin Europian që negociatat të bëhen në tri grupe punuese. Grupi punues për çështje tregtare, grupi punues për përafrim të legjislacionit dhe grupi punues politika dhe bashkëpunim. Presim që negociatat për Stabilizim Asociim të fillojnë në vjeshtë të këtij viti dhe synojmë që negociatat të përmbyllen deri në pranverë të vitit të ardhshëm”, u shpreh Citaku.
 
Në anën tjetër, duke folur për politikën e jashtme, shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se dikasteri që ai drejton është duke rishikuar politikën e jashtme, ashtu siç kërkohet në studimin e fizibilitetit.
 
Në Kosovë është vlerësuar se arritja e MSA-së do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, e cila do të ofrojë një përspektivë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Top Channel