Kryeministri shofer taksie? Ndodh në Oslo!

12/08/2013 00:00

Të hipësh në një taksi dhe të gjesh në vendin e shoferit kryeministrin mund të ndodhë në një film. Por jo në Oslo!

Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg ka shërbyer si shofer për disa orë, i veshur me uniformën e shërbimit, përfshirë një kravatë të kuqe flakë.

Sipas raportimeve të BBC, objektiv i kryeministrit, që do të garojë në zgjedhjet e vjeshtës, ka qenë të mblidhte opinionet e njerëzve të zakonshëm. Dhe taksia është një ndër të paktat vende ku njerëzit thonë atë që mendojnë.

Bisedimet mes kryeministrit, i cili në disa raste është njohur e në disa jo, u filmuan dhe vetë Stoltenberg ka publikuar një përmbledhje në profilin e tij në Facebook. Ato do të shërbejnë për fushatën e tij elektorale.

Sikurse shihet në një pjesë të filmimit, kryeministri, që nuk i jepte një makine prej 8 vjetësh, ngatërron shpesh frenin me gazin duke i dhënë goditje makinës dhe i kërkon falje pasagjeres.

Askujt nuk iu kërkua të paguante për shërbimin. Stoltenberg, një laburist, shumë i njohur në Norvegji dhe i mësuar të udhëtojë në sediljet e pasme të automjeteve, ka pak gjasa të rizgjidhet.

I pyetur nga një gazetë nëse do të bëjë taksistin nëse nuk i fiton zgjedhjet, ai është përgjigjur: “Mendoj se vendit dhe pasagjerëve të taksive do t’iu shërbej më mirë si kryeministër sesa si taksist”.

Top Channel