Shkencëtarët italianë në Fierence kanë hapur një varr për të marrë nga skeleti një kampion ADN-je që ata shpresojnë se do të identifikojë modelen e Mona Lisa-s së Leonardo da Vinci-t.

Varri përmban mbetjet trupore të familjes së Lisa Gherardini, bashkëshortja e një tregtari mëndafshi që mendohet të ketë pozuar për artistin.

Shkencëtarët shpresojnë se ADN-ja do t’i ndihmojë ata në identifikimin e saj nga tre skeletet e gjetura vitin e kaluar në një manastir.

Ekspertët për shekuj me radhë kanë hamendësuar tiparet e gruas që pasqyrohen tek Mona Lisa dhe motivet e buzëqeshjes misterioze të saj.

Për të gjetur ADN-në që iu duhet, shkencëtarët hapën një vrimë në dyshemenë prej guri të kishës mbi dhomën e nëndheshme të tregtarit fiorentin të mëndafshit, Francesco Giocondo.

Varri ndodhet prapa altarit të Santissima Annunziata Basilica. Shkrimtari dhe studiuesi Silvano Vinceti planifikon të krahasojë ADN-së e marrë nga kockat me atë të tre grave të varrosura në manastirin e afërt të Shën Ursulës.

Lisa Gherardini vdiq atje si murgeshë në vitin 1542. Shpresohet që disa nga kockat e gjetura t’i përkasin të paktën njërit prej personave me të cilët ajo kishte lidhje gjaku, sipas të gjitha gjasave me atë të të birit Pietro.

Nëse ADN-ja përputhet, atëherë imazhi i Gherardini mund të gjenerohet përmes kafkës dhe të krahasohet me pikturën.

Top Channel