Të bashkëjetosh me plehrat

08/08/2013 15:35

700 banorë të fshatit Bulo pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë gjenden të rrethuar nga male të tëra mbeturinash të organizuara kështu nga vetë banorët, pasi nuk ka sipas tyre asnjë shesh tjetër të miratuar për t’i hedhur dhe asnjë përpjekje për t’i larguar.

Plehrat, prej 20 vitesh shtresëzohen në të njëjtin territor dhe digjen herë pas here për t’iu lënë vendin mbetjeve të reja.

Ndotja dhe era e keqe përshkojnë të gjithë këtë zonë. Problemit madhor thonë banorët i shtohet edhe mungesa e ujit të pijshëm, duke e lënë këtë zonë plotësisht pa shërbimet bazë.

Kjo komunë nuk është e vetmja përgjatë bregut të Drinos, ku banorët bashkëjetojnë me mbeturinat që prodhojnë vetë  komunitetet. Problemi i grumbullimit dhe trajtimit të mëtejshëm të mbetjeve nis me bashkinë e Gjirokastrës dhe vijon me të gjitha komunat e rrethit, përjashto dy prej tyre që i kanë dhënë zgjidhje me fondet e veta problemit.

Agjensia Rajonale e Mjedisit  në Gjirokastër ka hequr dorë nga gjobvënia, të paktën 3 vite më parë, kohë kur u ndeshkuan 4 njësi vendore për ndotjen  e ujërave të lumit.

Gjobat asnjëherë nuk u paguan. Ato u falën pas pretendimit  se masa ndërshkimore ndaj tyre ishte dhënë mbi kritere selektimi, ndërsa gjendja paraqitet po aq kritike në të gjitha komunat e qarkut.

Top Channel