Sapo lë pas fshatin Shetaj, i fundit që mbyll rrethinat e banuara të Komunës Ishëm, pamja që të hapet para është përtej mrekullisë.
Kodrina të gjelbërta, që flasin për një natyrë ende të paprekur, dhe një rrugë, që dredhon aq bukur mes tyre, e cila të çon drejt Kepit të Rodonit, një prej destinacioneve më të fundit të zbuluara nga turistët.
Ishte rruga e re, ajo që hapi mundësinë e kësaj perle të bregdetit të Durrësit për shumë njerëz. Ka së paku 2 vite, që Kepi vizitohet rregullisht nga turistë vendas dhe të huaj.
Në brendësi të zonës, në anën perëndimore të Kepit, gjendet një plazh i vogël. Bregu nuk është nga më të mirët për të pushuar, kuptohet për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes, por deti është nga më të bukurit dhe shumë i pastër.
Natyra në këtë vend piktoresk ka lëshuar gjithçka nga elementët e saj. Det, përbri një relievi të thepisur, dhe livadhe, ku mund të pushoj nën hijen që krijon kurora e gjelbëruar e kodrinave. Një parajsë në miniaturë, që nuk ka të ngjarë me asnjë prej plazheve simotra të Adriatikut.
Natyra është mjaftueshëm për të të sjellë deri këtu. Megjithatë, në zonë ka edhe monumente me vlerë shumë të madhe historike dhe kulturore për t’u vizituar. Një prej tyre është Kisha Françeskane.
Turistët e huaj janë ata, që zgjedhin më së shumti këtë vend. Jo për detin, se sa për natyrën dhe vlerat historike që ruan në brendi. Julia, një turiste australiane, thotë se Kepin e ka zbuluar në një guidë turistike të botuar në vendin e saj.
Dhe, si për t’i vënë vulën e bukurisë, në pikën fundore të Kepit ndodhet kjo kala e mrekullueshme, e cila mund të vizitohet përmes një shtegu, që të çon aty. Kjo është kalaja e Skënderbeut, një tjetër monument i lashtë historik, i cili i qëndron aq bukur madhështisë së kësaj natyre.
Top Channel