Presidenti Barack Obama ka nominuar Caroline Kennedy, vajzën e ish-presidentit John F. Kennedy, si ambasadore të Amerikës në Japoni. Zonja Kennedy, një avokate me profesion, ishte një nga mbështetëset kyçe të Obama-s në 2008 dhe 2012, por deri më tani i është shmangur jetës politike.
Nëse konfirmohet nga Senati, ajo do të jetë e para femër, që shërben si e dërguar në Japoni, një nga aleatët kryesorë të SHBA-ve në Azi. Ajo është e vetmja e mbijetuar nga fëmijët e ish-presidentit të vrarë dhe ish-Zonjës së parë Jacqueline Bouvier Kennedy.
Shtëpia e Bardhë njoftoi nominimin e saj jo me shumë bujë, pasi e kishin listuar zonjën Kennedy në disa poste të ndryshme të administratës.
Obama theksoi, përmes një deklarate, se zgjedhjet sollën “një thellim të përvojës dhe dedikim të jashtëzakonshëm ndaj roleve të reja të tyre”, por nuk dha ndonjë koment specifik për zonjën Kennedy.
Ndërkohë, kryetari i Fondacionit të Bibliotekës Kennedy, ku zonja Kennedy shërben si presidente, e përgëzoi atë me anë të një deklarate, ku thoshte: “Nuk mund të mendoj për dikë tjetër më të mirë, për të përfaqësuar vendin tonë kaq fuqishëm dhe me integritet”.
Ky post do të ishte roli publik më i lartë për zonjën Kennedy, pasi 55-vjeçarja ka shërbyer në disa organizata jo fitimprurëse, si dhe ka qenë aktive në mbështetjen e politikanëve demokratë.
Megjithatë, ajo nuk i është bashkuar anëtarëve të tjerë të klanit Kenndy, për të garuar për presidente. Në 2009-n, ajo mori në konsideratë kandidimin për karriken e senatores së Neë York-ut, kur Hillary Clinton u bë Sekretare e Shtetit, por u tërhoq më pas për arsye personale.
Top Channel