Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe, në Manastir, është sulmuar përsëri mbrëmjen e së shtunës.

Një grup huliganësh, të paindentifikuar nga policia, kanë qëlluar me gurë objektin, duke thyer xhamat e derës hyrëse të muzeut. Ky është sulmi i dytë, për më pak se dy muaj, ndaj shtëpisë së alfabetit.

Historianët shqiptarë në Maqedoni thonë se, përmes këtyre akteve vandale, qarqe të caktuara po mundohen që të shlyejnë të gjitha elementet shqiptare në Manastir.

“Ky akt nuk është punë e individëve ose grupeve, por është një sulm, i cili koordinohet prej një qendre dhe, në momente të caktuara, ai sulmohet për t’i dhënë një mesazh presioni shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në mbarë trojet etnike shqiptare. Por, neve na shqetëson edhe komoditeti i qeverive, si në Maqedoni, Kosovë edhe në Shqipëri, që nuk e gjejnë të udhës as të reagojnë, apo të paraqesin një notë proteste ndaj një akti vandal, që ndodh në vazhdimësi ndaj Muzeut të alfabetit në Manastir”, tha Skënder Hasani, kryetar i Shoqatës së Historianëve shqiptarë në Maqedoni.

Në sulmin që ndodhi para dy muajve, huliganët kishin shkaktuar dëmë më të mëdha materiale, duke thyer xhamat e objektit, por edhe vitrinat brenda Muzeut të Alfabetit, ku ndodheshin të ekspozuara dokumente historike për popullin shqiptar.

Qeveria, atë kohë u zotua për zbardhjen e rastit dhe mbulimin e dëmeve, por autorët e këtij rasti ende nuk janë kapur nga policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA