Ishte një mosfunksionim në sistemin e ndërrimit të shinave, ai që shkaktoi këtë të premte aksidentin më të rëndë hekurudhor në Francë në shumë vjet.
Si rrjedhojë e këtij problemi teknik në sistemin e shinave, gjashtë persona mbetën të vrarë dhe 22 të tjerë u plagosën, kur treni me të cilin ishin nisur nga Parisi drejt Limozhit, në Francë Qëndrore, u përmbys pak pas nisjes në Bretigny-sur-Orge.
Ndërkohë, është konfirmuar edhe bilanci i kësaj tragjedie, që për rreth 24 orë mbeti i paqartë.
”Tashmë jemi të sigurt që nuk ka më viktima të tjera përveç gjashtë të numëruarave”, deklaroi Micheal Fuzeau, prefekt i departamentit të Essonës.
Lokomotivat dhe disa nga vagonat e trenit u ngritën dhe u transportuan në një qendër inspektimi, ku ekspertët nuk gjetën probleme në sistemin e frenimit apo avari të ndonjë lloji tjetër.
Kjo përjashton hipotezën e ndonjë problemi të trenit apo gabimi njerëzor të makinistit, versione që u përfolën fillimisht.
Top Channel