Drejtuesi i operatorit të trenave ka akuzuar një inxhinier lokal për daljen e trenit nga shinat dhe shpërthimin më pas në Lac-Megantic të Quebec-ut, duke lënë të vrarë të paktën 20 persona.
Kreu i “Rail World”, Edward Burkhardt, tha se dyshon që inxhinieri nuk kishte vendosur setin e fundit të frenave të dorës, pavarësisht protestave të këtij të fundit. Rezidentët e vunë në pozita të vështira, me pyetje, Burkhardt-in, teksa ky i fundit vizitoi qytetin, ku ndodhi aksidenti.
Të paktën 30 të tjerë janë të zhdukur, që prej fatkeqësisë së të shtunës, e me shumë mundësi “shumica e tyre janë të vdekur”, bën të ditur policia. Të paktën 30 ndërtesa u rrafshuan nga flakët e shumta të shpërthimit.
Pas vizitës së parë të tij, të mërkurën, në Lac-Megantic, Burkhardt tha se një inxhinier, i cili kishte për detyrë të ngiste trenin, është pezulluar pa të drejtë pagese.
“Mendoj se ai bëri diçka gabim”, tha Burkhardt, i shoqëruar nga eskorta e policisë në Lac-Megantic. “Është e vështirë të shpjegosh se si nuk veproi askush. Ne mendojmë se ai i përdori disi frenat e dorës, por çështja është: a i përdori mjaftueshëm ai? Inxhinieri tha se kishte përdorur 11 frena dore, por për ne kjo nuk është e vërtetë. Fillimisht e besuam atë, por tashmë nuk i bësojmë”.
Shefi i hekurudhës tha se nuk e kishte vizituar qytezën e Quebec-ut përpara të mërkurës, sepse ishte duke u marrë me këtë çështje në zyrën e tij në Chicago, ku tha se ishte në gjendje më të mirë për të komunikuar me siguruesit dhe autoritetet.
Më herët, gjatë së mërkurës, kryeministrja e Quebec-ut, Pauline Marois, tha se përgjigja e kompanisë ndaj aksidentit ishte disi e munguar.
“Kemi kuptuar se ka mangësi serioze nga kompania hekurudhore, duke mos qenë në vendngjarje dhe duke mos komunikuar me publikun”, tha Marois, teksa njoftoi një fond prej 60 milionë dollarësh kanadez, për të ndihmuar viktimat dhe për të rindërtuar vendin.
Top Channel