Pse Egjipti nuk po gjen qetësi?

03/07/2013 01:00

Nuk ka kaluar shumë nga revolucioni, që përmbysi ish-presidentin Hosni Mubarak, por Egjipti zien sërish.

Sheshi Tahrir, i mbushur me demonstrues, nuk gjen qetësi. Statusin e vendit-simbol të protestave, e ka më se të merituar. Por, çfare po ndodh tani; cili është plani i ri në vendin ku sërish derdhet gjak, e sërish shkak për këtë bëhet pakënaqësia me drejtuesit.

Perspektiva e një ndërhyrjeje ushtarake në tranzicionin kaotik të vendit tanimë duket e pashmangshme. Gjeneralët janë të gatshëm të hidhen në veprim, për të marrë frerët e drejtimit të vendit, aty ku të tjerët, praktikisht kanë dështuar.

Lëvizja e tyre është, megjithatë, shumë më e thellë se sa oportunizëm i rastit. Ajo nxjerr në pah njërin prej tipareve më goditëse të politikës egjiptiane, që prej revoltës së janarit 2011: mungesën e një vizioni politik, që mund të ndihmonte bashkimin e vendit.

Gjeneralët vërtet po kthehen nga ana e popullit. Por, në vetvete, katarsisi që i dha jetë lëvizjes Tamarod nuk do t’i ndihmojë protestuesit të prodhojnë liderë të rinj, të aftë të shkëputen nga përpjekjet e ripërtërira të ushtrisë, për të ndryshuar sipas dëshirës së saj linjën politike të vendit.

Përgjegjësia kryesore për këtë krizë rëndon padyshim mbi “Vëllazërinë Muslimane” dhe partinë e saj për liri dhe drejtësi. Vëllazëria nuk arriti të përmbushte detyrën më të rëndësishme, që rëndon mbi shpatullat e liderëve të zgjedhur në çdo shoqëri, e cila tenton të përcaktojë një bazë të re për unitetin demokratik kombëtar: krijimin e një gjuhe simbol, që premton gjithpërfshirje dhe pajtim.

Pikërisht në këtë nivel simbolik qëndron dështimi i presidentit Mursi dhe aleatëve të tij. Për këtë arsye, tranzicioni në Egjipt duket kaq kaotik. Mbështetësit e “Vëllazërisë Muslimane” rrëfyen historinë e përpjekjeve për të përfshirë jo-islamikët në kabinet dhe në Asamblenë, që hartoi kushtetutën e re.

Por, kur erdhi fjala te zbatimi i premtimeve, aty u treguan tepër selektivë. Një vit pas vendosjes në krye të shtetit, dhe zotimeve të Mursit për të përfaqësuar të gjithë egjiptianët, krerët e Vëllazërisë nuk u kanë përçuar kundërshtarëve laikë, veçse mesazhe arrogance dhe një mungesë tolerance të thellë.

Top Channel