Ish-kontraktori i CIA-s, Edward Snowden ka dërguar kërkesa për azil në 21 vende, sipas një njoftimi të publikuar nga Wikileaks. Mes këtyre vendeve përfshihen Kina, Franca, Irlanda dhe Venzuela.
Më parë u raportua se Snowden i kishte bërë kërkesë edhe Rusisë, por më vonë Moska zyrtare tha se ai e kishte tërhequr atë, pas disa kushteve të vendosura nga Kremlini.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka zhvilluar bisedime me homologun rus Sergei Lavrov në samitin e Azisë për të zgjidhur çështjen.
Më herët, spiuni i inteligjencës amerikane akuzoi presidentin
Barack Obama se po i mohon të drejtën për të kërkuar azil, nëpërmjet
një deklarate të publikuar po nga Wikileaks.
Kjo ishte deklarata e parë e tij publike, që kur fluturoi drejt Rusisë më 23 qershor. Ish-analisti i CIA-s, i cili është fshehur në një hotel të aeroportit të Moskës, kërkohet nga Shtetet e Bashkuara me akuzën e spiunazhit.
Ai tha se presidenti Obama po ushtron presion ndaj vendeve, ku ai ka kërkuar azil politik. “Presidenti ka urdhëruar zëvendësin e tij të ushtrojë presion ndaj liderëve të kombeve, te të cilët unë kam kërkuar mbrojtje, për të refuzuar kërkesën time për azil”, tha Snowden, i cituar nga Wikileaks.
“Kjo lloj dinakërie e një lideri botëror nuk është drejtësi, as një dënim ekstra ligjor i arratisjes sime. Këto janë mjetet e vjetra dhe të këqija të një agresioni politik. Qëllimi i tyre është të frikësojnë, jo mua, por ata që mund të vijnë pas meje”.
Në deklaratë, Snowden e përshkruante veten si një “person pa shtetësi”, duke akuzuar qeverinë e SHBA-ve se po e ndalon atë të ushtrojë “të drejtën bazë… për të kërkuar azil”.
Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin tha se: “Moska nuk ka dorëzuar kurrë ndokënd ndaj një pale tjetër dhe nuk ka ndërmend ta bëjë atë”. Ai i sugjeroi Snowden-it se mund të qëndronte në Rusi, me kushtin që të ndalte dëmtimin e “partnerëve amerikanë” të Rusisë me informacionet e tij të vjedhura.
Nxjerrja e mijëra dokumenteve të klasifikuara të inteligjencës amerikane ka bërë që të zbulohet se SHBA-të përgjojnë sistematikisht sasira të mëdha informacionesh telefonike dhe të dhënash kompjuterike.
Top Channel