Kryetari i LSI, Ilir Meta ka mbledhur pasditen e së premtes kryesinë e partisë së tij, për herë të parë pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit.
Në fjalën e tij, Meta ka falenderuar së pari elektoratin për votën që i dha aleancës së majtë dhe ka theksuar se tani është koha që politika të orientohet drejt zhvillimit të vendit.
“Ju falenderoj për votat e dhëna. Falenderoj 180 mijë shqiptarë që votuan numrin 26. Tani të shohim drejt zhvillimit dhe integrimit”, ka deklaruar Meta.
Ai ka vlerësuar se misioni i qeverisë së ardhshme është krijimi i besimit tek qytetarët dhe krijimi i një politike të re konstruktive, larg asaj që ka karakterizuar vendin ndër vite.
“Duhet të rrisim besimin tek mazhoranca e re. Nuk është koha e arrogancës, por ajo e korrektësisë ndaj qytetarëve. Të konsolidojmë në thelb qeverisjen e vendit, që të jetë gjithëpërfshirëse”, ka theksuar Meta.
Ai ka vlerësuar se, tani është koha për një ndryshim “të rëndësishëm” të sistemit politik, si e vetmja rrugë që mazhoranca e re të meritojë besimin që qytetarët i dhanë më 23 qershor.
“Duhet të heqim dorë nga politika përjashtuese dhe antagoniste, pasi kemi humbur shumë kohë. Duhet të punojmë që Shqipëria ta meritojë statusin e vendit kandidat”, ka shtuar Meta.
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, Meta ka mbajtur një deklaratë për shtyp, ku u është përgjigjur edhe disa pyetjeve të gazetarëve.
“Falenderim për 1 milionë qytetarë shqiptarë që besuan tek aleanca e majtë e që morën pjesë në mënyrë masive në zgjedhje. Ata treguan një shkallë të jashtëzakonshme të kulturës demokratike dhe jam i bindur se vendi, me votën e 23 qershorit ka hedhur një hap të sigurt jo vetëm për marrjen e statusit brenda vitit, por edhe për të garantuar një proçes të pandalshëm të zhvillimit dhe integrimit në BE.
Besoj se kjo votë plebishitare është lexuar nga të gjithë ne në mënyrën më të përgjegjshme dhe ajo do të reflektohet në bashkëpunimin konstruktiv brenda koalicionit, që u konfirmua nga takimi që pata sot me zotin Edi Rama, por edhe më gjerë.
Ky bashkëpunim do të dominojë në jetën politike pas 23 qershorit, në mënyrë që Shqipëria të ecë më shpejt në perspektivën e integrimit. Do ketë një përkushtim më të madh të politikës ndaj institucioneve, për funksionimin e tyre në bazë të ligjit dhe kushtetutës.
Qëndrimet tona kanë qenë dhe mbeten konstante. Duhet të kemi parasysh që ndryshime të rëndësishme nuk kërkojnë vetëm një mazhorancë numerike, por edhe një konsensus me opozitën. Do punohet në të gjitha drejtimet për të arritur atë që i shërben demokracisë. Mënyra se si do të sillet PD është e drejtë ekskluzive e saj. Por ne nuk kemi arsye ta paragjykojmë.
Nuk është diskutuar asnjë cështje për ndarjen e posteve ministrore, pasi këto nuk janë shqetësimet tona kryesore as si LSI, as si aleancë. Bashkëqeverisja nuk është cështje për qindjesh, por një cështje vullneti të përbashkët për të nisur në shqipëri një politikë të re mbi bazën e bashkëpunimit dhe interesit të vendit”, ka deklaruar Meta.
Top Channel