Djali i Michael Jackson ka folur publikisht për herë të parë për vdekjen e të atit, pasi ka dëshmuar në proçesin gjyqësor që po zhvillohet në Los Anxheles.
Prince Jackson, 16 vjeç, tha se babai i tij kishte zhvilluar disa telefonata të tensionuara me kompaninë promovuese të koncerteve të tij, “AEG Live”, disa herë edhe duke derdhur lotë.
“Ai thoshte: ‘Ata do të më vrasin. Ata do të më vrasin’”, ka treguar Prince. Katherine Jackson, e ëma e këngëtarit të famshëm, ka paditur “AEG Live” për 40 miliardë dollarë për vdekjen e të birit. Nga ana e saj, kompania mohon çdo akuzë.
Familja Jackson pretendon se “AEG Live” dështoi të hetonte si duhet doktorin Conrad Murray, ish-kardiologu që u dënua për keqtrajtim në vitin 2011 dhe nuk konstatoi problemet shëndetësore të këngëtarit.
Murray kujdesej për këngëtarin teksa ai përgatitej për koncertin “This Is It”. “AEG Live” deklaroi se nuk e kishte punësuar ose mbikëqyrur doktorin dhe argumentoi se Jackson kishte recetë për ilaçet dhe ai ishte në dijeni për problemet e vartësisë shumë kohë pasa se të nënshkruante një marrëveshje me kompaninë.
Top Channel