“Femrat duhet të mbyllin gojën në publik”

12/06/2013 14:15

Holger Osieck, trajneri i kombëtares australiane të futbollit, ka hapur polemika pasi në një konferencë shtypi tha se “femrat duhet ta mbyllin gojën në publik”.

Tekniku gjerman po përgatitej për konferencën e shtypit pas ndeshjes së fituar ndaj Jordanisë me rezultatin 4-0. Kur po ulej në karrige ai fillimisht i tha duke qeshur një zyrtari të Federatës Australiane të Futbollit se po e urdhëronte njësoj siç bën gruaja e tij në shtëpi. Më pas, përdori frazën latine ‘Mulieres taceres in ecclesia’ duke e përkthyer në anglisht: “Femrat duhet ta mbyllin gojën në publik.”

“Këtë gjë ia them gruas në shtëpi, është çështje private”, tha duke qeshur dhe më pas iu drejtua mediave: “E regjistruat këtë? Tani do të bëhem shumë i dashur për gratë australiane.”

Ndërsa sot 64-vjeçari kërkoi falje për batutat e tij: “I kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndjerë të ofenduar. Ishte një batutë jashtë regjistrimi dhe e thashë për shaka. Nuk ishte kundër femrave, por vetëm një keqkuptim. Kur ta marrë vesh gruaja ime, do të kem probleme.”

Në fakt, fraza latine përkthehet “femrat duhet të qëndrojnë të heshtura në kishë” dhe është thënë nga Shën Ambrozi në shekullin IV, i cili vendosi rregullat për këndimin e psalmeve në kisha.

Top Channel