William Shakespeare, vëllimi i parë, “Dramat”, i shtëpisë botuese “Saras”, është promovuar në Tiranë.

Vëllimi përmban 3 vepra, “Timoni nga Athina”, “Masë për masë” dhe “Simbelini”, kjo e fundit për herë të parë në shqip.

Përkthyesi është Kristaq Traja, e cili është marrë me Shakespear-in për 12 vjet, duke i sjellë dramat e tij në shqip, nga anglishtja e vjetër, ose gjuha origjinale e mjeshtrit të letrave botërore.

“Loja e fjalëve është e jashtëzakonshme. Mu desh shumë kohë ta bëja diçka të tillë. Natyrisht, Shakespear-i është një njeri i tillë, nga i cili mund të përkthehet pa fund dhe çdo përkthyes lë gjurmët e tij. Çdo njeri që përkthen Shakespear-in, me metër-rimë-ritëm, sigurisht sakaton një pjesë të tij dhe jep thelbin, por thelbin varet si e kupton njeriu. Mua më ka pëlqyer shumë të kem varg të ngjeshur, por edhe ndonjë “ë” në mes, për të marrë ajër. Nëse ka lirizëm, duhet dhënë vargu i qetë, nëse ka zemërim dhe vrull, ngjeshet apostrofi dhe shqipja këtë e lejon. Është një Shakespear për ne ndryshe”, tha Kristaq Traja.

Vëllime të tjera me veprat e Shakespeare do të sillen nga “Botimet Saras”.

“Ky është vëllimi i parë, besoj se për 2013-n do të ketë edhe një vëllim të dytë me 3 drama, ndërsa në 2014-n do të ketë edhe 2 vëllime të tjera me nga 3 drama secila. Gjithsej bëhen 12 drama, që do të japë shtëpia botuese “Saras”, me përkthyes Kristaq Trajën”, tha Bajram Peci, përfaqësues i “Botimeve Saras”.

Top Channel