Rama: Në krah të 95% të shqiptarëve

02/06/2013 12:25

“Sot gjysma e pasurisë së vendit  është në duart e më pak se 5 përqind të shqiptarëve”. Me këtë konstatim Edi Rama në Delvinë u zotua se qeveria e drejtuar prej tij do të jetë në krah të 95 përqind të shqiptarëve, për t’iu dhënë mirëqënien dhe dinjitetin, duke nisur nga biznesi i vogël.

“Me një kryq tek numri 29 do të heqi taksën për biznesin e vogël dhe do ta përgjysmojë tatimin e fitimit”, tha Rama.

Me një votë për PS, të punësuarit në shtet, tha Edi Rama, do të kenë dy përfitime, më shumë të ardhura nga taksimi progresiv dhe çlirimin nga trajtimi si robër të pushtetit.

“Kurrë më një mësues, kurrë më një nënpunës, kurrë më një infermiere, kurrë më një mjek nuk do të merren me lista për të mbushur sheshet e partive, por do t’i shërbejnë popullit shqiptar dhe të shkojnë me kë parti të duan e të marrin pjesë në cdo miting që duan”, shtoi Rama.

Ashtu si edhe në takime të tjera përgjatë Qarkut të Vlorës, Edi Rama ripërsëriti zotimin për transperencë të plotë me pronat në bregdet dhe nxjerrjen e fshatit nga gjendja e ekzistencës së sotme.

“Me programin tonë, 160 mln dollarë për të ujitur çdo metër katror tokë buke në këtë vend ku nuk duhet të ketë më familje që nuk i japin dot qumësht në mëngjes fëmijëve”, deklaroi kreu i PS-së.

Edi Rama iu drejtua shqiptarëve me apelin se vota është ndëshkim për keqqeverisjen dhe mundësi për ndryshim, duke i ftuar ata të përdorin këtë mundësi duke votuar PS si e vetmja shpresë për vendin.

“Një gjyshe aty po thoshte qëparë kur erdha; aman tha mos e zgjat me programin, një pikë të ketë programi; na hiq këtë Saliun nga televizori”, shtoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA