Elayna Nigrelli është quajtur një fëmijë mrekulli. Vogëlushja erdhi në jetë, kur e ëma ishte klinikisht e vdekur, por nuk është vetëm kjo.

Në muajin shkurt, Erica Nigrelli ishte duke dhënë mësim, si zakonisht, në një gjimnaz të Teksasit, kur papritur u ndje keq dhe u shemb përdhè.

Tre mësues nxituan ta ndihmonin, duke përdorur një defibrilator, teksa pritej të mbërrinte autoambulanca.

Fëmija duhet të lindte pas tre javësh. Në kohën kur 32-vjeçarja mbërriti në spital, mjekët nuk arrinin t’i gjenin pulsin; zemra e saj kishte pushuar së rrahuri.

Fëmija u lind përmes një ndërhyrjeje çezariane emergjence dhe teknikisht ishte lindje “postmortem”, për shkak se Erica u deklarua e vdekur.

Pastaj ndodhi çudia. Mjekët u kthyen tek Erica për të parë, me habinë më të madhe, se si zemra e saj nisi të rrihte përsëri.

Përgjatë 5 ditëve në vazhdim, 32-vjeçarja qëndroi në koma të induktuar mjekësore, pas diagnostikimit me një problem, të cilin nuk e dinte ta kishte: kardiomiopati hipertrofike, apo sëmundje e muskulit të zemrës, që vështirëson pompimin e gjakut.

Foshnja qëndroi në reanimacion për dy javë. Tani, të dyja gëzojnë shëndet të mirë, edhe pse Elayna vazhdon t’i nënshtrohet terapisë.

Çifti Nigrelli e rrëfeu eksperiencën e jashtëzakonshme në emisionin “Early Start” të CNN-it.

Pas përcjelljes së historisë prekëse, bashkëshortët bënë shaka, duke thënë se, nëse Elayna del ndonjëherë nga kontrolli, ata thjesht do t’i kujtojnë se çfarë hoqi e ëma për ta sjellë në jetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA