Situata e pandryshuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka detyruar
kryediplomatin amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu të takohet me kreun e
PS Edi Rama dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore Damian Gjiknuri.

Për më shumë se 40 minuta Arvizu ka dëgjuar propozimet të vijnë nga PS për zgjidhjen e krizën. Top Channel e pyeti ambasadorin Arvizu nëse në këndvështrimin e tij do të mund të arrihet një zgjidhje.

“Një çështje me shqetësim për SHB-në, komunitetin ndërkombëtar përfshi edhe vetë shqiptarët mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Ne vijojmë të jemi të frustruar nga fakti se KQZ nuk është plotësisht e konstituuar në  kushtet e mos funksionimit e plotë. Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët, duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstituimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që jetë plotësisht funksionale për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve. Jam këtu me zotin Gjiknuri, ekspert i zgjedhjeve, i cili është duke punuar shumë. Ne bisedojmë edhe me parti të tjera dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë.Gjithmonë jam optimist për një zgjidhje por gjithashtu jam realist.Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit, zotit Rama dhe zotit Meta por ata natyrisht s’janë ende afër një zgjidhjeje”, tha Arvizu.

Krahas takimeve me Ramën a ka patur Arvizu takime edhe me kryeministrin Berisha apo eksponetë të lartë të PD-s  po për cështjen e KQZ-së? “Kemi patur kontakte të afërta me PD-në, por nuk kemi patur takime specifike me Kryeministrin”, u përgjigj Arvizu.

“KQZ”, Berisha: Opozita po pengon procesin
 

Kryeministri  Sali Berisha priti këtë të martë në një takim, shefen e Misionit të ODIHR-it Conny McCormak dhe anëtarë të tjerë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.

Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, Berisha shprehu besimin se të gjitha partitë politike janë të angazhuara për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri u shpreh se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, nëpërmjet orkestrimit politik të dorëheqjeve të tyre, megjithatë Kryeministri u shpreh i gatshëm për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë.

Nga ana e saj, McCormak e njohu Kryeministrin me eksperiencat e saj 30-vjeçare në administrimin e zgjedhjeve si dhe me strukturën e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it.

 

Top Channel