Dita e dytë e Konventës Kombëtare të Partisë Socialiste i është dedikuar
tërësisht prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare. Partia
Socialiste nëpërmjet seancës së sotme të Konventës do t’i paraqesë jo
vetëm të pranishmëve në këtë sallë, por edhe të gjithë shqiptarëve,
variantin e përfunduar të programit.

Ndërkohë lideri i opozitës Edi Rama, pak orë para nisjes së dites se dytë të punimeve të Konventës deklaroi se ky program nuk është elektoral, por një kontratë e Partisë Socialiste për të qeverisur Shqipërinë pas 23 qershorit.

“S’është një program elektoral i radhës është një program qeverisës, një kontratë qeverisëse me popullin shqiptar. Sot unë i ftoj të gjithë që ta ndjekin shpalosjen e sintezës së programit sepse programi shumë i gjerë dhe i gjatë për t’u shtjelluar në një sesion si ky; ndërkohë, padyshim në ditët në vijim do t’i vëmë në dispozicion qytetarëve dhe librin e programit. Pala tjetër nuk ka program, s’ka se si të ketë libër të programit. I rikthehet gjithmonë vetvetes dhe bën kate shtesë pa leje me pjesët e kopjuara prej nesh, ndërkohë që ne e kemi shumë të qartë çfarë do të bëjmë që nga dita e parë e qeverisjes”, tha Rama.

Ndryshe nga Konventat e tjera mësohet se Edi Rama nuk do të ketë një fjalim të posaçëm, por do t’i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve, të cilat do të shfaqen në një ekran gjigant.

Në ditën e parë të Konventës të gjithë liderët e koalicionit për një Shqipëri Europiane, pas shumë vitesh ndarjeje, u bashkuan jo vetëm vizualisht krah përkrah njëri-tjetrit, por edhe për të përçuar mesazhin e një të majte të fortë si asnjëherë më parë, siç e quajti Edi Rama këtë bashkim.

Top Channel