Lëvizja Socialiste për Integrim, në një miting në qytetin e Fierit, prezantoi kandidatët në këtë qark.

Mes të pranishmëve nga Lushnja dhe Mallakastra, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, u shpreh se LSI është forca që do të garantojë rotacionin aq shumë të dëshiruar nga shqiptarët.

Sipas Metës, myzeqarët dhe të gjithë shqiptarët janë të lodhur nga politika e moçalit dhe përbaltjes. Meta u shpreh i sigurt se 23 qershori do t’i japë fund përrallave të doktorit dhe do të vendosë mes stanjacionit politik dhe zhvillimit.

“Më 23 qershor, Fieri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do t’i japin fund përrallave të doktorit të botës së çudirave. Fierakët dhe shqiptarët duan një lidership, që nuk tregon përralla, por që shikon realitetin në sy dhe që i jep dorën çdo të riu dhe të reje, çdo të moshuari, çdo gruaje e çdo burri për të ecur përpara dhe më shpejt, në rrugën e mirëqenies dhe të begatisë. 23 qershori është beteja mes të ardhmes dhe të shkuarës, midis të resë dhe të vjetrës, midis stanjacionit politik e ekonomik dhe zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ndaj unë jam i bindur se në 23 qershor, qarku i Fierit do të votojë me bindje dhe me zemër për LSI”, tha Ilir Meta.

Listën e kandidatëve të LSI-së për qarkun e Fierit e kryeson Petrit Vasili.

Top Channel