Rama: Fushata e PS, me qytetarë të lirë

17/05/2013 00:00

Partia Socialiste ka prezantuar në mbrëmje kandidatët e qarkut të Fierit, lista e të cilëve kryesohet nga Gramoz Ruçi.

Një nga kandidatët më të rinj në Fier, jo edhe aq për nga mosha, Erjon Braçe i bëri thirrje qytetarëve të tre zonave që përmbledh ky qark, Fierit, Lushnjës e Mallakastrës, të votojnë Rilindjen e Partisë Socialiste, për të mos lejuar kryeministrin Berisha, siç u shpreh ai, që të rrëmbejë pasuritë e shqiptarëve.

“Ju keni detin, por atë jua pengon Sali Berisha ta përdorni. Ju keni naftën, por edhe atë po jua vjedh Sali Berisha. Ju keni tokat anembanë Myzeqesë, ju pengon t’i gëzoni dhe t’i punoni Sali Berisha. Ndaj, gjithsecilit prej jush, i kërkojmë të na mbështesni, të na jepni forcën dhe fuqinë tuaj, me qëllim që në datën 24 qershor në mëngjes, edhe Fieri ashtu si gjithë Shqipëria, të ketë qeverinë e tij, atë të së majtës, të socialistëve dhe Edi Ramës”, u shpreh Erjon Braçe.

Pas prezantimit, që Gramoz Ruçi i bëri një nga një të 16 kandidatëve socialistë, Edi Rama iu referua ndryshimit mes fushatës së socialisteve dhe asaj të kundërshtarit politik, presionit që ushtrohet ndaj qytetarëve për t’i çuar në mitingjet e Partisë Demokratike.

“Para pak ditësh, Saliu erdhi këtu dhe e mbushi sheshin me robër. Ne sot jemi këtu dhe sheshi është i stërmbushur me qytetarë. Me qytetarë që, së bashku me qytetarët e gjithë Shqipërisë, më 23 qershor do të çlirojmë edhe robërit e qeverisë. Që të mos ketë kurrë më mësues, mjekë, infermierë, nëpunës të shtetit, që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Që të mos ketë kurrë më drejtorë në shkolla, në spitale, në administratë, që dhunojnë shërbëtorët e shtetit, që dhunojnë zgjedhësit që votojnë për herë të parë, që dhunojnë mësuesit, që dhunojnë këdo me bukën e qeverisë. Pas 23 qershorit shtetit do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e të gjithë shqiptarëve”, tha Edi Rama.

Më tej lideri i opozitës u kërkoi demokratëve të Fierit të mos votojnë si militantë, por si qytetarë të Shqipërisë.

“Demokratëve të Fierit dua t’u them: Më 23 qershor votoni si qytetarë të kësaj Republike, votoni si shqiptarë, si prindër, përpara se të votoni si anëtarë partie apo si mbështetës të një partie, që ju duhet ta ndihmoni të rilindë, duke mos e votuar në 23 qershor”, shtoi Rama.

Më herët lideri i opozitës ishte në qytetin e Gjirokastrës, ku prezantoi kandidatët për deputetë të këtij qarku. Për kryesocialistin Rama, 23 qershori do të jetë dita, kur Gjirokastra do t’i japë ndëshkimin historik kryeministrit Berisha, duke u përfaqësuar në Kuvend me katër deputetë socialistë.

Rama prezanton kandidatët në Gjirokastër

Partia Socialiste prezantoi kandidatët e saj për deputetë në Qarkun e Gjirokastrës. Lista në këtë qark kryesohet nga deputeti aktual i PS-së, Arben Ahmetaj.

Në fjalën e mbajtur para mbështetësve socialistë në rrethin jugor, Rama kërkoi votën për t’i dhënë fund, sipas tij, shtetit të angazhuar për pushtetin dhe abuzimeve me gjithë administratën zgjedhore.

“Pas 23 qershorit do të marrin përgjigjen për sjelljen e tyre anti-kushtetuese ndaj të rinjve. Përgjigjen për sjelljen e tyre anti-kushtetuese, sjelljen kriminale të tyre ndaj zgjedhësve të rinj, që më 23 qershor bëhen zgjedhës. Ata do të ndryshojnë Shqipërinë duke ndryshuar përgjithmonë edhe shkollën për Shqipërinë. Kurrë më drejtorë shkollash që bëjne presion mbi mësuesit dhe nxënësit, kurrë më shteti që përdoret për interesat e pushtetit, kurrë më shtet që përdoret kundër opozitës”, tha kreu i socialistëve Edi Rama.

Rama tha se gjirokastritët, tepelenësit dhe përmetarët do të votojnë rilindjen për t’i dhënë fund harresës, që sipas tij, i ka bërë pushteti i Sali Berishës në këto 8 vite.

“Unë nuk e di se me cfarë kurajoje do të flasë Saliu para popullit të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit? Popullit që jeton në varfëri, i izoluar nga mungesa e rrugës. Por di se cfarë do t’i thotë ky popull Sali Berishës dhe shpurës së tij më 23 qershor duke marrë një vendim historik”, shtoi Rama.

Lista e kandidatëve socialistë në Gjirokastër kryesohet nga Arben Ahmetaj, i ndjekur nga Erion Veliaj, Anastas Angjeli, Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi.

Rama: Të shtunën prezantimi si deputet në Vlorë

Kryetari i Partisë Socialiste, me anë të një shkrimi publikuar në rrjet social njofton se të shtunën pasdite do të bëjë në Vlorë prezantimin e tij si deputet.

“Si asnjëherë në rrugën e jetës sime politike, ndjehem i emocionuar si të isha përpara provimit më të vështirë të maturës. Kam shumë gjëra për të thënë për Vlorën dhe më duket sikur nuk do di t’i them.Sot Vlora është një sfidë e madhe. Një projekt i mbetur në mes që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Mvaret nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim të shtunën”, shkruan Rama.

Top Channel