Rama: Korça t’i japë një mësim Berishës

16/05/2013 00:00

“Jam shumë krenar që Korçës i kemi sjellë këtë skuadër”. Me këto fjalë
Edi Rama e nisi prezantimin e 13 kandidatëve të PS në këtë qark,
kryesuar nga ish-kryeministri Bashkim Fino. Rama që në fillim të fjalës
së tij shpjegoi dallimin mes kandidatëve socialiste të Korçës dhe atyre
të PD-së.

“Saliu nuk ka gjetur asgjë më të mirë për Korçën se sa oficerin e Gërdecit dhe kryehetuesin e veshit. Kjo është dikça që mund ta bëjë vetëm një kryeministër që nuk është i zgjedhur nga shqiptarët, vetëm një kryeministër që nuk ka respekt për popullin e vet”, tha Rama.
 
Ky qark, tha Rama, nuk meriton qeverinë që kemi që u thotë shqiptarëve se duhet të jenë të lumtur se ua ka dyfishuar rrogat mësuesve, ndërkohë që u ka shumëfishuar çmimet.

“Kjo është e papranueshme kjo është e pagëlltitshme, kjo është e pafalshme dhe këtë Korça më e para duhet ta ndëshkojë këtë sjellje barbare me edukatorët e fëmijëve të vet, me mësuesit e nxënësve të vet, me pedagogët e të rejave dhe të rinjve të vet. Korça duhet të japë në 23 qershor leksionin e madh jo vetëm për këta që po ikin po për të gjitha qeveritë që po vijnë se kurrë më dora e pushtetit nuk mund të ngrihet mbi mësuesit dhe kurrë më frika nga pushteti nuk mund të kallet në shpirtin e mësuesve”, tha Rama.

Rama u premtoi korçarëve se qeveria e ardhshme socialiste nuk do të njohë asnjë gjobë të vënë që nga 1 marsi i vitit 2013. Pas 23 qershorit, theksoi kyesocialisti Rama, do të ngarkohet me përgjegjësi publike dhe penale cilido drejtor shkolle që do të fusë hundën në lirinë e çdo mësuesi dhe të çdo nxënësi për të zgjedhur lirisht me votë atë që dëshiron.

Top Channel