“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2” në Prishtinë

09/05/2013 00:00

“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2”  i regjisorit Ekrem Kryeziu, pas premierës në Tiranë, u shfaq për herë të parë edhe në Prishtinë.

Vajza rugovase e rritur në Amerikë, Diellza rikthehet kështu pas 16 vjetësh, kësaj here me një tjetër histori dashurie, tashmë në zhanrin  aksion dhe romancë. Ajo dashurohet me një djalë nga Shqipëria. Dy protagonistët interpretohen nga Diellza Kolgeci dhe Florian Agalliu.

Filmi vjen si bashkëpunim i shtëpisë filmike “Labia” nga Kosova dhe “Top Channel”,  bashkëpunim ky i cili sipas Kryeziut plotësoi mangësitë që kishte në pjesën e parë.

Ekrem Kryeziu, regjisor: E vecanta e pjesës së dytë është se e kam punuar me një shtëpi televizive me emër, sic është Top Channel. Mund të them se ky duhet të jetë shumë më mirë se i pari, sepse është punuar me një teknologji që nuk ka patur mundësi që të punohej i pari, me një drejtor fotografie sic është Erion Muharremi, me një Silva Babaramo në montazh, me një Aldion Kola në postproduksion.

Diellza Kolgeci, aktore: Zakonisht artistët dhe njerëzit në përgjithësi nuk thonë që janë 100 përqind të kënaqur, por mund të them se maksimumin, kam pritur dicka ndryshe, ka dalë akoma më bukur.

Premiera e filmit në Prishtinë u ndoq nga njerëz të artit e të profileve të ndryshme.

Sunaj Raça, aktor: Është film shqiptar, film për teleshikuesin tonë që i plotëson kërkesat për këtë shikues. E përgëzoj Ekremin për këtë guxim që ka patur.

“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2” është një realizim i nje ekipi profesionistësh, me drejtor fotografie Erion Muharremi, montazhi Silva Bababramo, me kompozitor Edmond Zhulalin dhe kolonë zanore të kënduar nga Anjeza Shahini. Filmi do të shfaqet në dy orare, 20:00 dhe 22:00 në kinema ABC.

Top Channel