80-vjetori i bilbilit të Kosovës

08/05/2013 00:00

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha mbushi 80 vjeç. Banesa e saj në këtë përvjetor të rëndësishëm ishte mbushur me aromë lulesh, urime dhe telefonata të shumta.

Ajo që i dha shumë këngës shqipe për pothuajse 5 dekada, e rrethuar me dashuri nuk mund ta fshehë këtë emocion.

“Jam shumë e lumtur, me gjithë këtë kujdes, me gjithë këta njerëz që erdhën, me lule me gjithçka. I falënderoj të gjithë që janë kujtuar të vijnë për të më respektuar. Edhe unë i respektoj të gjithë. Përderisa populli më do dhe më respekton, edhe unë i dua të gjithë”, u shpreh Nexhmije Pagarusha.

Nga vitet ’40, kur edhe filloi karrierën, Pagarusha këndoi në shumë zhanre muzikore, duke sprovuar veten edhe me opera. Majat e suksesit, Nexhmija i arriti me interpretimin e papërsëritshëm të këngës “Baresha”, kompozuar nga Rexho Mulliqi.

Duke qenë artiste e kompletuar, interpretimet e saj mbeten në kujtesën e atyre, që patën fatin ta shihnin në kohë të vështira për artin në Kosovë. Emocione të tilla, sot përcillen përmes regjistrimeve të Radio Prishtinës, ku edhe punoi si soliste e më vonë në radio.

Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Prishtinë, Nexhmija vijoi studimet për këndim solo (soliste) në Beograd.

Në 80-vjetorin e saj munguan organizimet artistike shtetërore, ndërsa kohë më parë, edhe për mbledhjen e këngëve të “zërit të kristaltë” të Kosovës në një disk, ndihmoi një sipërmarrës privat në Prishtinë.

Top Channel