Klodi: Ju tregoj Riken. “Sekreti” im do të ishte shumë më i bujshëm

05/05/2013 14:50

Një prej konkurrentëve më të përfolur dhe protagonistë në historinë e edicioneve të “Big Brother”, Klodian Çela, në një lidhje telefonike nga Italia iu rikthye eksperiencës së tij në edicionin e tretë e komentoi ecurinë në këtë “Big Brother” të mikes së tij të mirë, Rikes.

””Big-Brother” ishte një aventurë dhe aq e kishte. Filloi një emocion, një aventurë, por normalisht mbaroi dhe jeta eci përpara, edhe pse pasi del nga ajo shtëpi je gjithmonë në vëmendje të publikut. Gjithsesi, jeta ime vazhdon siç ka qenë, ndryshoi pak mund të them, e këtu në Itali jeta e koha janë ndryshe, në krahasim me siç jetohet në Shqipëri. Megjithatë, i jam rikthyer normalitetit prej kohësh, punë, familje, shoqëri e gjithçka mirë”, deklaroi Klodi, në lidhje telefonike me Albana Osmanin, drejtuesen e “Fan Club”-it të spektaklit më të famshëm në Shqipëri.

I pyetur për impaktin që mund të kishte pasur sekreti i tij për preferencat seksuale, nëse në edicionin e tretë do të kishte pasur sekrete të tilla, Klodi tha: “Besoj se do të kishte pasur impakt të madh, sepse akoma në Shqipëri, dihet, edhe pse sekreti im u deklarua para tre vitesh është ende një tabu çështja e këtyre preferencave. Kur shoh se sekreti i zhigolosë u bë shumë legjendë, mendoj se sekreti im do të ishte shumë i bujshëm. Për Marselinon, që mbajti këtë sekret e admiroj shumë kurajon e tij”.

Mbi Riken, me të cilën Klodi ka një miqësi disa-vjeçare, ai tha: “Rike është një vajzë, jo thjesht e bukur, por shumë normale, familje shumë normale. Ne të dy jemi shumë miq të mirë prej vitesh, ajo është një vajzë që ka ushtruar për disa kohë modelingun, me publicitete, e ka marrë pjesë në disa evente që në Shqipëri nuk janë ditur e s’janë bërë të njohura”.

Sipas tij, konkurrentja e fundit që i është bashkuar shtëpisë është “një vajzë me një imazh shumë të shëndoshë, ushtron dhe do profesionin e saj, por rrezikon të dëmtohet brenda shtëpisë, pasi sinqeriteti i saj po përdoret kundër Rikes nga banorë e tjerë”.

Në fund, Klodi komentoi edhe statusin e Rikes, që për ish-konkurrentin mbetet vajza më e padjallëzuar midis të gjithëve brenda banesës. “Rikja është shumë e fejuar, shumë e dashuruar, është në lidhje me Lukën, një DJ dhe djalë fantastik, një DJ që njihet këtu dhe jashtë Shqipërisë. Mbi të gjitha, shpresoj që publiku të mos ta shohë Riken thjesht si një vajzë të bukur, por edhe shumë të aftë e të zgjuar”.

Top Channel