Witherspoon-policit: E di ti kush jam unë?

04/05/2013 00:00

Aktorja fituese e çmimit Oscar, Reese Witherspoon nuk e ka kundërshtuar
akuzën për sjellje të keqe gjatë arrestimit muajin e kaluar në Atlanta
dhe ka paguar një gjobë prej 100 dollarësh të vendosur nga gjykata.

Aktorja u ndalua pasi i bëri rezistencë një agjenti policie, që po i bënte testin e alkoolit bashkëshortit të saj. Pasi shau oficerin, Witherspoon i tha tij: “E di ti kush jam unë?”.

Bashkëshorti i saj, Jim Toth, i njohur në botën e spektakleve, u shpall fajtor për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe u dënua me 600 dollarë gjobë dhe 40 orë punë në komunitet.

Gjykata lokale bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se, pas këtyre vendimeve çështja ku ishte përfshirë Witherspoon dhe i shoqi është zgjidhur.

Gazetarët e mediave të showbizit shprehen se ngjarja do të ketë një impakt befasues tek fansat e aktores, e cila ka kultivuar imazhin e një vajze të qetë.

Në një video të regjistruar nga një kamera sigurie, Reese mund të shihet teksa akuzon oficerin e policisë për bezdisje. “Do ta marrësh vesh shumë shpejt se kush jam unë”, i thotë aktorja agjentit në videon që u publikua nga autoritetet ditën e premte.

Ndërkohë, në një intervistë për ABC, Witherspoon u mbrojt duke thënë se kishte qenë e dehur dhe se kishte thënë “një sërë marrëzish”, përfshirë justifikimin se ishte shtatzënë.

Por gjatë intervistës aktorja zbuloi se kishte nxjerrë një mësim nga ky incident, pasi duke mos iu bindur policisë, kishte pasur pasoja.

“Kur një oficer policie të thotë të rish në makinë, atëherë bën mirë të rrish në makinë. Këtë e mësova mirë”, tha fituesja e çmimit Oscar. 

Top Channel