‘The Voice of Italy’, tjetër sukses për Elhaida Danin

03/05/2013 01:45

Elhaida Dani, vajza 19-vjeçare nga Shkodra, që po mahnit gjithë Italinë
me zërin e saj, gjatë performancave në “The Voice of Italy”, ka arritur
të sigurojë kalimin për në turin e ardhshëm, pas performancave
individuale “Live”, në një garim mes 4 kandidatëve të mbetur të skuadrës
së Riccardo Cocciante-s.

Këngëtarja shqiptare këndoi “All by myself” të Celine Dion, duke shtangur të gjithë të pranishmit me forcën e zërit të saj, si dhe duke hedhur baza më të forta për një triumf të mundshëm në “The Voice of Italy”, e vlerësuar me superlativa si nga publiku italian (edhe në rrjetet sociale), ashtu edhe nga juria e specialistëve.

Muzikanti Piero Pelù, i grupit Litfiba, i mrekulluar tha se “me zërin që ka, kjo vajzë mund të bëjë ç’të dojë”. Raffaela Carra, që e cilësoi thjesht “të mrekullueshme”, bëri ç’është e mundur, që ta bindte për ta marrë në skuadër. Këngëtarja Noemi e vlerësoi së tepërmi dhe Riccardo Cocciante, që e ka në skuadrën e vet, po e ndjek me pasion të jashtëzakonshëm ecurinë e këngëtares, e cila konsiderohet nga shumë veta si fituese e këtij edicioni.

Elhaida Dani është e njohur për publikun shqiptar si pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës, e më pas si fituese e “Top Fest 2012” në Top Channel, me këngën “S’je më”. Mbrëmjen e djeshme, ajo u vlerësua përveçse nga juria, edhe nga telespektatorët e Rai Due, pavarësisht se publiku përzgjodhi Mattia Lever, për të vazhduar më tej.

Top Channel