Neruda, me tumor terminal në çastin e vdekjes

03/05/2013 11:45

Ekspertët e mjekësisë ligjore në Kili konfirmuan se nga ekspertiza e deritanishme në mbetjet skeletore të poetit nobelist Pablo Neruda, mund të thuhet me siguri se ai vuante nga kanceri i prostatit në çastin e vdekjes.

Poeti i njohur për pikëpamjet e tij socialiste ndërroi jetë në vitin 1973, vetëm disa ditë pasi gjenerali Augusto Pinochet mori pushtetin nëpërmjet një grushti shteti.

Së fundmi, mbi bazën e dyshimeve se Neruda ishte helmuar, autoritetet kilene urdhëruan zhvarrosjen dhe analizimin e eshtrave të tij.

Ndonëse kanceri me shumë gjasa do të kishte shkaktuar vdekjen e Nerudës, mbetet ende për t’u përcaktuar nëse vdekja e tij ishte e parakohshme apo si rrjedhojë e komplikimeve shëndetësore, që do të mbështesin tezën e besuar deri tani, të vdekjes natyrore.

Neruda ishte një mik i ngushtë i presidentit të rrëzuar nga Pinocheti, Salvador Allende, i njohur edhe nëpërmjet të bijës shkrimtare.

Ai ndërroi jetë në mënyrë të papritur vetëm 12 ditë pas grushtit të shtetit dhe së fundmi, një ish-funksionar i regjimit diktatorial 17-vjeçar në Kili, spekuloi se gjenerali Pinochet kishte dhene personalisht urdhër për të eliminuar Nerudën nëpërmjet një injeksioni vdekjeprurës.

Top Channel