Chris Kelly, njëri nga dy anëtarët e grupit të repit të viteve ’90, Kris
Kross, ka ndërruar jetë në një spital të Atlantës në moshën 34-vjeçare.

Kelly ishte gjetur pa ndjenja në shtëpinë e tij të mërkurën, raportojnë mediat amerikane në edicionet e tyre online.

Grupi Kris Kross përbëhej nga Kelly, i njohur si “Mac Daddy” dhe Chris Smith, i njohur si “Daddy Mac”. Ata mbahen mend kryesisht për hitin e vitit 1992, “Jump”.

Performanca e tyre e fundit ishte në shkurt, për të celebruar 20-vjetorin e shtëpisë diskografike “So So Def label”, me të cilën depërtuan në botën e muzikës.

Dyshja, e famshme edhe për stilin e të veshurit, pantallona të veshura mbrapsht dhe me zinxhirë e objekte të tjera, ishte 13 vjeç kur u zbulua në një shëtitore të Atlantës.

Në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga shtëpia diskografike dhe e ëma e të ndjerit, Donna Kelly Pratte, Chris vlerësohet si një njeri “i mirë, bujar dhe i dashur”.

“Me trishtim të thellë ju njoftojmë se i dashuri ynë Chris Kelly ka ndërruar jetë më 1 maj”, thuhet në deklaratën për shtyp.

“Për miliona fansa në të gjithë botën ai ishte një djalë modern, që vishte pantallonat mbrapsht dhe që adhuronte muzikën. Ndërsa për ne, ai ishte thjesht Chris, djali i mirë, bujar dhe që adhuronte jetën dhe festat”, vijon më tej njoftimi.

Top Channel