Kolonizatorët e parë të Amerikës u shndërruan në kanibalë

01/05/2013 00:00

Historianët dhe antropologët amerikanë të muzeut “Smithsonian” në Uashington të Shteteve të Bashkuara mbërritën në përfundimin se kolonizatorët e parë europianë të “tokës së re” u shndërruan në kanibalë gjatë dimrit të ashpër të 1609-1610.

Ky ishte rezultati i studimit të dy skeleteve të zbuluara në James Fort, e themeluar nga kolonët e parë europianë në vitin 1607 si pjesë e qytetit që do të njihej më vonë me emrin Jamestown.

Studiuesit zbuluan të prera të pazakonta në kafkën e skeletin një adoleshentje, e cila sipas tyre është çarë pak pas vdekjes së saj.

“Provat shkencore janë të pakundërshtueshme dhe ato tregojnë se nga trupi i adoleshentes është hequr mishi, truri dhe gjuha”, thotë Doug Owsley, antropolog në Muzeun Kombëtar të Natyrës dhe Historisë Smithsonian në Uashington.

Pak është zbuluar në lidhje me viktimën dhe mënyra e vdekjes së saj është e panjohur. Ajo që dihet është vetëm mosha e saj dhe fakti që ka vdekur pak para se të përdorej për të hequr urinë.

Në arritjen e përfundimit se kolonizatorët e parë u shndërruan në kanibalë ndihmuan edhe të dhënat historike. Sipas dokumenteve të shkruara që ruhen sot në këtë muze, banorët e rinj të James Fort u përballën me rrethimin e fiseve indigjene dhe dimrin e ashpër të 1909-1910, pa ushqime. Kjo periudhë e historisë së kontinentit të ri është njohur ndryshe si “koha e urisë së madhe”.

Fillimisht, thonë studiuesit amerikanë, banorët e parë europianë të Amerikës u ushqyen me mishin e kuajve pastaj qenve, maceve, minjve, gjarpërinjve madje edhe pjesë të këpucëve. Kështu kaluan ditë, javë e më pas muaj, për të mbërritur tek kanibalizmi.

Shpëtimi do të mbërrinte pas 6 muajsh me zbarkimin e Lordit De La Warr me ushtarë, ushqime dhe kolonizatorë të rinj. Vetëm 60 nga 300 kolonizatorët fillestarë të James Fort mundën t’i shpëtojnë dimrit të ashpër dhe rrethimit të fiseve indigjene.

        Një pikturë që tregon kolonizatorët e parë të Jamestown

Sa është numri i njerëzve që është përdorur si ushqim për njerëz të tjerë është i panjohur, thonë studiuesit amerikanë, por një gjë është e sigurtë, që vajza adoleshente, skeleti i së cilës është zbuluar së fundmi, nuk është e vetmja.

 Rindërtimi 3D i portretit të adoleshentes

Top Channel