Prej disa ditësh, këta pjesëtarë të FSK-së po përballen përditë me rrezikun nga minat e pashpërthyera, që nga koha e luftës së fundit në Kosovë.
Të ndihmuar nga Forcat e Armatosura të Suedisë, ata po pastrojnë këtë zonë të thellë të “Parkut Gërmia”, në periferi të kryeqytetit kosovar, nga bombat, minat dhe granatat.
Të hënën, aty u bënë edhe dy shpërthime të kontrolluara, por për shkak të rrezikut, mediat duhet të qëndronin larg, nga ku mund të dëgjonin vetëm zhurmën e shpërthimit.
Në vitet e kaluara, në këtë hapësirë janë pastruar 250 mijë metra katrorë. Ndërsa 30 mijë të tilla nuk ishin pastruar, në mungesë të pajisjeve speciale.
Regjimeti suedez i Xhenios “Göta” i ka vënë në dispozicion eskavatorët e blinduar, që mund të komandohen nga largësia, për të shembur ndërtesat e vjetra.
Shefja e misionit të Suedisë në Kosovë, Ingrid Johanson, u shoqërua të hënën nga zëvëndësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, dhe Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, për të parë punën e përbashkët të pjesëtarëve të FSK-së dhe atyre suedezë.
“Jetoj në Prishtinë prej disa vjetësh dhe ndiej kënaqësi kur e vizitoj këtë park. Sa herë që kaloja këtej i shihja këto gërmadha si dhe shenjat paralajmëruese që tregojnë rrezik, të cilat të sillnin ndërmend një kohë të kaluar e të trishtueshme. Kështu që, është kënaqësi e madhe e imja dhe e ambasadorit t’i dërgonim ekspertët suedezë, që ta zgjidhnim këtë problem duke pastruar këtë terren”, tha Ingrid Johanson, shefja e misionit të Suedisë në Kosovë.
“Kjo është një dëshmi shtesë, se FSK i ka plotësuar kapacitetet operacionale dhe është e gatshme që, bashkërisht me partnerët e vet, të marrë pjesë në aksione paqeruajtëse edhe jashtë Kosovës, kur të jetë nevoja dhe një kërkesë e tillë”, u shpreh Shemsi Veseli, zëvendësministër i FSK-së.
Minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera, nga lufta e fundit në Kosovë, kanë shkaktuar vdekjen e 115 njerëzve dhe 454 të tjerë kanë marrë lëndime, si pasojë e tyre. Nga 4 mijë e 500 zona të minuara, numri i tyre është reduktuar dukshëm.
“Është arritur një progres i madh, duke marrë parasysh se numri i zonave, në vitin 1999, ka qenë mbi 4 mijë e 500, kurse tani janë 54 zona dhe 40 të tjera, që dyshohen se përmbajnë mjete të ndryshme eksplozive. Ne kemi pastruar mbi 47 milionë metra katrorë deri më tani. Kanë mbetur përafërsisht edhe 10 milionë metra katrorë”, deklaroi Ahmet Sallova, shef i Qendrës Koordinuese të Deminimit.
Operacioni i çminimit në Parkun e Gërmisë ka filluar më 22 prill dhe do të mbarojë në fund të qershorit. Gjatë këtij viti, në Kosovë janë planifikuar operacione çminimi edhe në 5 lokacione tjera.
Top Channel