Nëna e Michael Jackson: Doktori i tij nuk u hetua

30/04/2013 04:50

Një avokat i nënës së Michael Jackson ka thënë se promotorët e yllit të Pop-it dështuan të shqyrtonin siç duhej doktorin e dënuar si shkaktar të vdekjes së tij nga mbidoza, teksa një padi për vdekje të gabuar është ngritur.

Katherine Jackson dhe 3 fëmijët e tij thanë se AEG Live duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen e Jackson-it në 2009. Promotorët thanë se nuk kishin bërë ndonjë gabim dhe nuk mund ta parashikonin vdekjen e Jackson-it në prag të turit të rikthimit të tij.

Miliona dollarë janë në lojë në këtë gjyq, i cili mund të zgjasë deri në 90 ditë. Brian Panish, i cili përfaqëson të afërmit e Jackson-it, i tha një gjykate në Los Angeles, se AEG Live ishte pala e vetme që deklaroi se nuk ishin në dijeni të varësisë së Jackson-it ndaj barnave me recetë.

“Gjatë këtyre viteve, familja e Michael-it dhe njerëzit që e njihnin besuan se ai kishte një probem me medikamentet me recetë”, tha Panish përpara një jurie me 6 meshkuj dhe 6 femra. “Zëri i tij prekës, gjenialiteti muzikor i tij, krijimtaria dhe bujaria e tij, por edhe zemërgjerësia e tij u shuan përgjithmonë”, tha ai, duke shtuar se juria duhet të vendosë se kush ishte përgjegjës për vdekjen e këngëtarit.

Megjithatë, avokati mbrojtës i AEG Live, Marvin Putnam, tha se jeta private e ruajtur nga afër e Jackson-it i kishte lënë promotorët në errësirë në lidhje me varësinë ndaj drogave.

“E vërteta është se Michael Jackson mashtroi gjithë botën”, tha Putnam. “Ai kishte siguruar që askush në botë, të mos dinte rreth sekreteve të tij më të errëta”.

Procesi gjyqësor, i cili pritet të fokusohet në muajt e fundit të jetës së Jackson-it, historisë së tij financiare dhe shëndetit të tij në përgjithësi, mund të përfshijë edhe dëshmitë e fëmijëve të tij. Raportohet se edhe yje si këngëtarja Diana Ross, regjisori Spike Lee dhe producenti Quincy Jones mund të marrin pjesë.

Gjyqi pritet të fokusohet edhe te Conrad Murray, ish-kardiologu që u dënua për vrasje të pavullnetshme në 2011, për përgatitjen e një kombinimi qetësuesish me propofolin anestetik, që vrau Jackson-in.

Top Channel