Martesa e bujshme e një vrasesi të KGB-së

26/04/2013 11:45

Një politikan rus, ish-agjent i KGB-së i akuzuar për vrasjen e bujshme të Alexander Litvinenkos në Londër në 2006-n, Andrey Lugovoi u lidh në martesë me një studente gjysmën e moshës së tij gjatë javës.

Imazhet e martesës, të publikuara në një revistë ruse, tregonin se më shumë se martesa e një “rrogëtari” të shtetit, ajo e Lugovoit ngjante me atë të një multimiliarderi.

Me të ftuar prestigjiozë, në një destinacion piktoresk në Rusi dhe përmes një ceremonie madhështore martesore, 46-vjeçari Lugovoi u betua për të qëndruar deri në vdekje, në të mirë dhe në të keqe përkrah 23-vjeçares Xenia.

E megjithatë, lidhja e tyre, deri sa vdekja t’i ndajë ose jo, me pak gjasa do të konsumohet jashtë Rusisë, përtej së cilës Lugovoi nuk mund të jetë një njeri i lirë, pasi mbi të rëndon një mandat arresti ndërkombëtar.


Martesa luksoze e ish-agjentit te KGB-se, Andrey Lugovoy

Ai është njeriu që u ul me ish-agjentin e KGB-së Alexander Litvinenko, kur në çajin e tij u hodh substanca radioaktive polonium-210, e cila solli një vdekje të dhimbshme brenda tre javëve, për këtë të fundit.

Litvinenko, një ish-agjent i KGB-së dhe më pas FSB-së, fitoi strehim politik në Londër në fillim të viteve 2000 dhe bashkëpunoi me autoritetet britanike, duke treguar sekrete të Shërbimeve Sekrete Ruse, disa prej të cilave i demaskoi edhe në media.


Alexander Litvinenko, ne shtratin e vdekjes, i konsumuar nga substanca radioaktive qe iu hodh brenda ne caj

Vrasja e tij në 2006-n është interpretuar gjerësisht si një “ndëshkim shembullor” i FSB-së, për të dekurajuar agjentët e saj që të dezertojnë në të ardhmen.


Alexander Litvinenko, pak muaj perpara vrasjes, me autor te dyshuar Andrey Lugovoin

Mandati ndërkombëtar i arrestit për Lugovoin nuk zbatohet në Rusi, ku ai është një politikan i respektuar. Vetë Lugovoi i ka kundërshtuar gjithmonë akuzat për vrasjen e Litvinenkos, duke këmbëngulur se atë e eliminuan vetë Shërbimet Sekrete Britanike.

Top Channel