Vajzat bariste, thyerja e një tabuje

25/04/2013 17:35

Përpara disa vitesh profesioni i vajzave bariste ishte shumë i rrallë në Shqipëri, por kohët duket se kanë ndryshuar.

Një vajzë, jo vetëm që mund të jetë një bariste shumë e mirë, por ka thyer tabunë se paçka gjinisë, kokteljet apo pijet e ndryshme bëhen më mirë nga duart e saj. Në klubet e natës së kryqytetit, gjen gjithnjë e më shumë të reja që ushtrojnë profesionin e orëve të vona, profesion që e duan edhe pse shpeshherë mbeten të paragjykuara.

Aurora është një 25-vjeçare e cila ka tre vjet që ushtron profesionin e bar-women në një klub nate.Vajza me origjinë nga Gjirokastra fillimisht ka qenë kliente e lokalit ku punon, ndërsa më pas lindi dëshira për tu bërë pjesë e stafit: “Është një profesion goxha i përhapur në vitet e fundit në Tiranë. Edhe pse ka ende pak paragjykim, mendoj se është si të gjithë profesionet e tjera. Nuk kam pasur ndonjëherë probleme edhe pse është një punë nate. Unë e kam hobi këtë profesion.”

Në momentin e parë, familja e saj nuk ishte dakord për zgjedhjen, por duke vizituar ambientin e punës dhe njohur stafin, të afërmit janë ndjerë më të qetë për zgjedhjen e Aurorës: “Është punë nate, por nuk ka asnjë problem për mua. Ky profesion kërkon të jesh e aftë të përballesh me klientin. Me mirësjellje anashkalohen shumë probleme.”

Ivjolena është një tjetër vajzë bariste. 24-vjeçarja nga Fieri ka një vit e gjysmë që punon si bariste në klubet e natës. Edhe pse vajza është diplomuar pranë fakultetit të Infermierisë, asgjë nuk e ka penguar që të ushtrojë profesionin e baristes: “Puna në banak për mua është një mënyrë e mirë për të kaluar kohën në fundjavë. Kurrë nuk kam pasur probleme sepse edhe punoj në një ambient të njohur.”

Muzika rock duket se ka qenë indikatori që vajza ka kaluar nga kliente e rregullt e lokalit, në bariste me kohë të plotë çdo fundjavë. Pasojat e krizës greke kanë detyruar shumë emigrantë të kthehen në Shqipëri. Në mes të të kthyerve është dhe Romina, vajza 25-vjeçare kamariere në klub nate.

“Kam 7 vjet që punoj bariste dhe dua ta vazhdoj këtë profesion sepse më pëlqen shumë. E nisa për shaka, por më pëlqeu pastaj. Më pëlqen muzika dhe ambienti e për këtë arsye nuk e ndjej lodhjen”, thotë Romina.

Në vendet perëndimore, drejtimi i klubeve të natës ka dekada që iu besohet vajzave. Globalizimi kulturor nuk e ka lënë prapa Shqipërinë, duke treguar se puna në banak kryet po aq mirë si nga meshkujt dhe nga femrat, mjafton pak pasion dhe dëshirë e mirë.

Filmi Cocktail

Nëse ka një film që fokusohet tek profesioni i baristeve, padyshim që “Coyote Ugly” është një i tillë. Komedia romantike zhvillohet në klubin e natës “Coyote Ugly”, në qytetin e Nju Jorkut. Violet Sanford largohet nga shtëpia e saj në Nju Xhersi duke lënë babain e saj dhe Glorian, mikeshën e ngushtë.

Adoleshentja kërkonte t’i tregonte vetes që ja dilte mbanë pa ndihmën e askujt. Në përpjekje për të gjetur veten, vajza nis profesionin e baristes, duke gjetur një ambient shumë të mirë pune dhe njëkohësisht dashurinë.

“Coctail” i vitit 1988 është një tjetër film që ka në qendër baristin. Protagonisti Tom Kruiz në rolin e Brajan Flanagan, përpiqet të gjejë punë në Nju Jorkun e zhurmshëm, ku gjenden njerëz nga të gjitha kombësitë e botës. Mungesa e një diplome universitare bëri që shumë intervista pune të ishin thjesht një harxhim kohe pa ndonjë rezultat.

I mbetur pa ndonjë zgjidhje, i riu u detyrua të niste studimet për ekonomik dhe njëkohësisht të punonte si barist me kohë të pjesshme në klub nate. As në mendimet e tij më të çuditshme nuk do ta mendonte se banaku do të kthehej në ambientin e punës për djalin me pamje studioze. Shefi i Brajanit ,Dagllas Kafil, i mëson të gjitha sektretet e banakut, që nga bërja e kokteljeve e deri tek xhonglimi me gotat pa harruar stilin e komunikimit me klientët e ndryshëm.

Filmi është një himn për profesionin e baristit, vështirësitë, raportet me klientët, dashuritë apo dëshirën për t’ja dalë paçka se për të mbijetuar detyrohesh të mësosh një profesion të ri. Fakt është se pas daljes së filmit në vitin 1988, një dekadë më vonë, numri i baristëve dhe baristeve u shtua ndjeshëm nëpër klubet e natës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel