Shamku: 65% e universiteteve, të paakredituara

23/04/2013 00:00

Deputetja socialiste Ledi Shamku në kuadër të Ditës së Librit, deklaroi
se Kryeministri Sali Berisha ka dështuar me arsimin e lartë në këto
vite, dukë e rrënuar në mënyrën më të pacipë sistemin.

“Kemi raportet më të ulëta në rajon për shpenzimet për studentë dhe ata që vijojnë sot studimet e larta e vuajnë në kurriz mungesën e klasave, mungesën e laboratorëve dhe mungesën e bibliotekave. Kjo Qeveri është duke e trajtuar asetin e Universiteteve Publike, njëlloj si Azotikun e Fierit. PS ka një skemë tërësisht të re financiare, e cila në financim të arsimit të lartë synon harmonizimin e fondeve mes publikut dhe privatit për të mirën publike”, tha Shamku.

Mediu: Politikë bashkëpunuese

Kryetari i Partise Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi një takim me komunitetin fierak, që banon në Tiranë.
 
“Politika ka bërë që te jemi të ndryshem në ide, por aspak në qëndrime. Me vjen keq që sot sharja, fyerja, mungesa e etikës në institucionet më të larta është bërë dominante. Të gjithë themi që duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, duam të fitojmë dinjitet si europianët, por çdo gjë fillon nga vlera e të mirës dhe të keqes. Të përjashtojmë të keqen, të afrojmë të mirën dhe me respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin të ndërtojmë të ardhmen”, tha Mediu.

Koçi: Bashkim me PS pa kushte

Nëpërmjet një deklaratë për media në cilësinë e kryetarit të PSV 91, Petro Koçi njoftoi bashkimin pa asnjë kusht me Partinë Socialiste.

Ky hap sipas Kocit ndërmerret në realizimin e objektivit për ndërtimin e një koalicioni opozitar me një numër të madh partish.Një tjetër arsye e bashkimit të PSV 91 me PS ka të bëjë me moslejimin e shkëputjes së votave që ka kjo parti nga ato të PS-së.

Top Channel