Rama ironizon koalicionin e djathtë

23/04/2013 23:20

Në selinë e Partisë Socialiste, negociatat me aleatët vijuan deri në orët e mbrëmjes.

Edi Rama nënshkroi marrëveshjen me Aleancën Popullore, partinë më të re të komunitetit çam, ku nuk la pa ironizuar edhe koalicionin e djathtë, “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, që prezantoi kryeministri Berisha.

“Saliu është fenomenal në konkurrencën e pashpirt që i bën Portokallisë, sepse sot tha në 2009-n ishin 35 parti, sot jemi 25 dhe kjo është një tjetër arritje e madhe. E quajti të djathtë dhe të qendrës, por në fakt, për këdo që e ndjek politikën në këto vite, nuk është gjëkundi një koalicion i djathtë, por është një qendër grumbullimi mbeturinash politike, pas rrënimit të 8 vjetëve. Mbeturina republikane, nga shpërthimi i korrupsionit në Gërdec, mbeturina monarkiste, të mbretërisë së zullumeve këtu afër në Ministrinë e Mbrojtjes, mbeturina balliste, nga koteci i pulave të korruptuara të oborrit të pushtetit të Saliut, mbeturina pseudo-çame, nga hallva korruptive e Havasë dhe nga ballokumja korruptive e Qifes”, deklaroi Rama.

“Ka mbledhur mbeturina gjithfarë. O Zot, si mund të mungonte kazani simbol, Lufteri i përjetshëm, që këtë herë ka përpirë edhe Hamzain tonë Kastriot”, shtoi më tej Rama.

Në qendër kemi mbeturinat e lartpërmendura, vijoi më tej Rama, në mes kemi një PD pa Saliun, që e quajnë FRD, dhe përballë tyre kemi Aleancën për Shqipërinë Europiane, në të cilën janë përfshirë shumë parti, dhe të tjera priten të na bashkohen.

Rama tha se çështja çame është pjesë e programit të Partisë Socialiste. Më pas, lideri i opozitës firmosi marrëveshjen edhe me Aleancën Demokristiane të Zef Bushatit, parti që vjen nga e djathta.

“Ndërkohë që përballë, e përsëris, kemi atë që kemi, dhe duke parë mikun tim, aktor i njohur dhe protagonist në një film të njohur, m’u kujtuan tespihet e plakut Mere, që në 23 qershor do të shpërbëhen. Ia thashë Zefit, pati rolin që e solli vet atë dhe Aleancën Demokristiane këtu në këtë seli, si një komunist që i solli demokristianët te socialistët”, përfundoi Rama.

Pa ndonjë surprizë të madhe, siç e cilësoi Edi Rama, edhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos iu bashkua koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

“Termat, që ne kemi arritur në fund të marrëveshjes, i garantojnë PSD-së jo vetëm bashkëpunim të ndershëm, të sinqertë, në zgjedhjet parlamentarë që po trokasin, por në të njëjtën kohë garantojnë edhe pjesëmarrjen e PSD-së në sistemin e mbrojtjes së votës, gjatë numërimit të saj. Gjithashtu, kjo marrëveshje që ne kemi arritur, garanton edhe pjesëmarrjen dinjitoze të PSD-së në qeverisjen e ardhshme të vendit”, deklaroi Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale.
 

Top Channel