Kreu i PS-së, Edi Rama, dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, pritet të nënshkruajnë pasditen e së hënës marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Marrëveshja do të firmoset prej tyre në qytetin e Shkodrës, ku do të zhvillojë punimet konferenca rajonale e Partive Socialiste Europiane, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të së majtës së Ballkanit.

Burime nga PS i thanë Top Channel se, në përfundim të këtij aktiviteti, Rama dhe Meta do të siglojnë një dokument të detajuar të marrëveshjes.

PS dhe LSI kanë refuzuar të zbulojnë paraprakisht detaje të marrëveshjes, përmes së cilës e majta kërkon të maksimalizojë çdo votë drejt qëllimit final, fitimin e zgjedhjeve.

Është zgjedhur ky moment për nënshkrimin e marrëveshjes, përpara drejtuesve më të lartë të socialistëve europianë, në shenjë mirënjohjeje për nxitjen dhe thirrjet në adresë të Ramës dhe Metës për t’u bashkuar.

Kjo marrëveshje, që do të ketë firmat e Ramës dhe Metës, merr formë zyrtare, në një kohë kur rregjistrimi i koalicioneve po shkon drejt limiteve kohore, që është data 23 prill.

Komentatorë politikë e shikojnë marrëveshjen e së hënës, si një ngjarje historike për të majtën shqiptare, pas shumë vitesh ndarjeje, akuzash dhe kundërakuza mes drejtuesve të PS-së dhe LSI-së.

Ndërkohë, burime nga PS sugjerojnë se, pas disa ditë negociatash mes Edi Ramës dhe Vangjel Dules së PBDNJ-së, pritet të arrihet brenda të martës edhe një marrëveshje mes tyre, duke i dhënë fund dilemave, se në cilin kamp politik do të radhitej Dule.

Top Channel